Zv-ministri

Ramadani: Mbledhja e KS të OKB-së është e panevojshme, e paefektshme, pa vendimmarrje

Parlamenti i Republikës së Kosovës ka votuar pro projekt-ligjeve që janë nisme për transformimin e FSK-së në Ushtri të armatosur.

Serbia ka kritikuar ashpër këtë veprim të Kosovës duke e cilësuar si të “rrezikshme” Ushtrinë e Kosovës për sigurinë e komunitetit serb në Veri të Kosovës.

Serbia ka deklaruar se nuk do të ndalet deri në shfuqizimin e këtij vendimi, duke mos e pranuar assesi faktin se Kosova tashmë ka projekt-ligjet në fuqi që e transformojnë FSK-në në Ushtri, raporton Ballkani.info.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikisht dolën pro të drejtës së Kosovës për të pasur Ushtri. Përderisa Serbia po kërkon ndihmë nga Rusia.

Ballkani.info ka siguruar dokumente eksluzive me kërkesat e Rusisë dhe Serbisë për thirrjen e mbledhjes së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Sipas kërkesës drejtuar OKB-së; Ushtria e Kosovës përpos që “rrezikon” sigurinë e përgjithshme të serbëve, ajo ka “rrezikshmëri” për destabilizim e gjithë rajonit.

Burim Ramadani, zv-ministër në Ministrinë e Mbrojtjes e ka quajtur këtë mbledhje të OKB-së si të panevojshme, të paefektshme, dhe pa vendimmarrje.

“Thirrja urgjente nga Rusia dhe Serbia e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së OKB-së në lidhje me mandatimin ushtarak të FSK-së është thjesht e panevojshme, e paefektshme dhe pa vendimmarrje”, ka shkruar ndër tjerash Ramadani në profilin e tij në Facebook.

Postimi i plotë:

Mbledhja e KS të OKB-së është e panevojshme, e paefektshme, pa vendimmarrje
Thirrja urgjente nga Rusia dhe Serbia e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së OKB-së në lidhje me mandatimin ushtarak të FSK-së është thjesht e panevojshme, e paefektshme dhe pa vendimmarrje.
Asgjë nuk do tê ndryshojë. Asnjë veprim më pak apo më shumë.
Forca fillon transicionin, Kosova forcohet, populli i Kosovë është më i sigurt!
Veç njê gjë të mirë e ka:
Dëshmon edhe njëherë orientimet në botën e sotme – Kosova me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar e Francën, ndërsa Serbia me Federatën Ruse.
Ndarje më të pastër konceptuale dhe faktike nuk ka!