Ramadani iu shpreh mirëseardhje partnerëve në konferencën ‘FSK dhe Partnerët’
Zëvendësministri në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, iu ka shprehur mirëseardhje partnerëve të FSK-së në konferencën ‘FSK dhe Partnerët’.
Ai veçanërisht ka falënderuar shtetet anëtare të NATO-s për kontributin dhe punën e përbashkët në transicionin e FSK-së, njofton Klan Kosova.
“I nderuar t’i shpreh mirëseardhje në MFSK miqve dhe partnerëve të FSK-së dhe Kosovës. Sot në Konferencën ‘FSK dhe Partnerët’, në praninë e Kryeministrit Haradinaj dhe Kryetarit të Kuvendit Veseli, zv/Komandatit të KFOR-it, Drejtorit të NALT-it, Gjeneralit Timothy Orr, Ambasadorëve dhe Atasheve të Mbrojtjes, një falënderim i veçantë për kontributin e madh të shteteve partnere dhe NATO-n për punën e përbashkët në transicionin e FSK-së. Veçanërisht, shpreha nderimin e madh për mundësitë që të realizojmë Kampanjën Informuese në kryeqytetet e shteteve të ndryshme, selinë qendrore të NATO-s. Kjo Kampanjë Informuese do të vazhdojë edhe në javët dhe muajt e ardhshëm”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e tij të Facebook-ut.