Ramadani i VV-së: Përkrahja e grave ka qenë determinuese për fitoren e Lëvizjes

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Ferizajn, Valon Ramadani, bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, i kanë vizituar gratë në këtë qytet.

Në njoftimin e LVV-së në Ferizaj thuhet se ata do të punojnë shumë për të barazinë gjinore.

“Përkrahja e grave ka qenë determinuese për fitoren e Lëvizjes, e angazhimi ynë do të jetë i pandalshëm deri në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për secilën prej tyre, ku për ofrimin e mundësive, kriter nuk do të jetë gjinia, ndërsa gratë nuk do të diskriminohet vetëm se janë të tilla. Barazia gjinore ndikon pozitivisht jo vetëm tek gratë, por në mirëqenien e shoqërisë në përgjithësi, si e tillë nuk duhet anashkaluar, e pikërisht për këtë duhet të jetë synim për përmirësim”.

“Ashtu siç tha edhe Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pa gratë asnjë qeverisje nuk është e suksesshme, e vetëm me ato rezultatet janë të arritshme. Në këtë drejtim fitorja e Lëvizjes është pasqyrim i rritjes së përfshirjes dhe angazhimit të grave në organizim e udhëheqje. Ndërsa kryetari i ardhshëm i Ferizajt, Valon Ramadani, duke falenderuar çdo vajzë e grua, anëtare e aktiviste për mobilizimin e punën e pandalshme në rrugëtimin e Lëvizjes, kërkoi nga secila prej tyre që përkrahjen e deritanishme, ta përkthejnë në votë vendimtare, që me 17 tetor na sjellë edhe fitoren e shumëpritur”, thuhet në njoftim.