Ramabaja ofendon drejtuesin e veteranëve të UÇK-së: Ka mbetur përjetësisht bari

Sadri Ramabaja, analist e profesor, por edhe person i afërt me VV-në, ka komentuar deklaratën e Faton Klinakut, udhëheqës i OVL të UÇK-së, i cili foli rreth paralajmërimeve të Kurtit për luftë mes Kosovës e Serbisë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Ramabaja e ka ofenduar me gjuhë të papranueshme Klinakun.

Ai e ka vënë në pikëpyetje dinjitetin e Klinakut, që njihet si një ish-luftëtar i zoti i luftës së viteve 1998-99.

Tutje, ai e ka quajtur bari Klinakun, duke thënë se profesioni i politikanit dhe ai i bariut në mes kanë disa shekuj emancipimi.

Postimi i plotë i Ramabajës, pa ndërhyrje:

Faton KLINAKU:

“Kjo çështja e luftës po bëhet si çështja e atij bariut që nuk i besonte më askush se ujku po ia han delet”.

Koment

Në intervistën dhënë të përditshmes zagrebase Veçernji List, kryeministri i Republikës sonë, ndër të tjera pohoi edhe këtë të dhënë faktike që flet për militarizimin e skajshëm të Serbisë.

“Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme.”

Rrjedhimisht, nga ky fakt krucial, secili politikan i përgjegjshëm nxjerrë konkluzionin e duhur: Serbia po përgaditet për luftë.

Por, çështja shtrohet, ndaj kujt?

Një ish luftëtar i dinjitetshëm i UÇK-së nuk do të duhej të kishte hamendësime se, pikërisht Kosova mund të jetë objekt sulmi nga një Serbi e militarizuar për më se njëzet vite rresht.

Por, kur ish luftëtari shndërrohet në marionetë të një partie të papërgjegjshme, ai duke pretenduar të kalojnë ylberin dhe të shndërrohet në analist a politikan, tek shfrytëzon proverbat baritore për t’i dhënë forcë mendimit, dëshmon se ka mbetur përjetësisht bari.

Të mos keqkuptohemi, nuk ka asgjë të keqe të jesh bari, aq më tepër bari delesh. Respekt edhe për barinjtë tjerë kudo.

Sidoqoftë, profesioni i politikanit dhe ai i bariut, kanë në mes disa shekuj emancipimi politik e intelektual.