Rrahman Rama

Rama tregon se si do të bëhet transformimi i FSK’së në Ushtri

Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka shpjeguar rrugën përmes së cilës do të bëhet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Në “Express Intervistën” në KTV, i pari i FSK-së ka treguar se forca që ai udhëheq është e gatshme të zbatojë planet e tranzicionit që nga dita e parë kur Kuvendi të vendosë për transformim të FSK-së në Ushtri të vendit.

Fillimisht ai ka treguar se periudha e tranzicionit është planifikuar të jetë dhjetëvjeçare, por ka shtuar se nëse gjithçka ecën mirë mund të përfundojë edhe më shpejtë.
Ai ka thënë se janë të kënaqur edhe me buxhetin, që ka thënë se i shton çdo vit nga 5.5 milionë euro më shumë kësaj force.

“Me plot përgjegjësi e them që jemi të gatshëm kur të merret vendimi politik të implementojmë planet. Planet janë fleksibile. S’dua të diskutoj për kohën. Sa më shpejtë të jetë e mundshme ne do të veprojmë. Kemi ardhur në përfundim pas analizave, që për 10 vjet të jemi me të gjitha kapacitetet e mjaftueshme për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë ai.

Prioritet i parë sipas tij për ministrinë e Mbrojtjes do të jetë ristrukturimi. Kjo ka thënë se do të bëhet me ligje të reja dhe akte të reja administrative.

Sipas Ramës, prioritet është të kenë forca të trajnuara për misione paqeruajtëse dhe në momentin që u jepet detyra e misioni i ri, kjo forcë të ketë kapacitetet e mjaftueshme për t’i realizuar ato.

Sa i përket pajisjeve, Rama ka thënë se është herët të flitet për këtë, por ka shtuar se do të jenë transparentë në këtë aspekt. “E dimë saktë çka do të kemi për planin e ardhshëm, që është i hartuar me faza. Armatimet do të jenë vetëm sipas standardeve të NATO-s”.

Rama po ashtu ka thënë se përkrahja me armatim nga shtetet mike vetëm do të shtohet. Ai ka thënë se vetëm vitin e kaluar janë investuar 9.2 milionë dollarë në pajisjet e komunikimit.

I pari FSK-së ka thënë se kjo forcë ka kapacitetet për t’u pranuar në NATO, por sipas tij, është aspekti politik që e pamundëson. Ka thënë se i gjithë zhvillimi i FSK-së deri tash është bërë në sytë e NATO-s.

“Më 2009 u bë transformimi i TMK-së në FSK. NATO ishte përgjegjëse për ndërtimin e këtij institucioni. Çdo pjesëtar aktual i FSK-së kemi qenë gjatë gjithë procesit dhe kapacitetet e para qoftë trajnuese janë nga NATO-ja. Kapacitetet janë deklaruar më 2013 dhe NATO i ka njohur këto kapacitete. Edhe plani i jonë i tranzicionit lidhur me atë. Secili tranzicion e ka kohën e vet dhe koston. Dua të them që gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë në standardet e NATO-s. Është edhe organizatë politike. Për të qenë pjesë e NATO-s në këtë rast, nuk shoh problem në aspektin ushtarak sepse jemi rritë me ta dhe do të zhvillohemi me ta. Por problemi është më shumë politik sepse kemi pesë shtete të NATO-s që s’na kanë njohur.Qëllimi e synimi kryesor i shtetit dhe FSK-së është të jemi pjesë e strukturave atlantike”, ka shtuar ai.

Sipas tij, FSK-ja do të rritet me staf çdo vit, ndërsa vitin e parë ka thënë se do të punëson 100 persona, por me pensionimin e pak më shumë se 300 pjesëtarëve të FSK-së, dhe me zëvendësimin e tyre, numri total do të jetë mbi 400.

Për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, Rama ka thënë se i vjen keq, por është shprehur se ka kërkesa të shumta nga minoritetet për zëvendësim të tyre.