Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ceremoninë e fillimit të punës së Doganës së Kosovës në portin e Durrësit, ka thënë se këto janë vetëm hapat e parë i bashkimit të plotë të doganës.
Rama ka bërë të ditur se të gjitha këto marrëveshje të cilat i ka cilësuar si historike, janë si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve, duke përmendur këtu edhe takimin mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt disa muaj më parë në Pejë.
Tutje, Rama ka adresuar kritika ndaj personave të cilët e kanë konsideruar bashkëpunimin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, si jetësim i planit për ’Shqipërinë e Madhe’, duke i cilësuar këto deklarata si sajime të armiqve të kombit shqiptar.
“Kushdo që ka thënë se integrimi i kufijve, është projekti i ‘Shqipërisë së Madhe’, ta dijë se kjo është vetëm sajesë e armiqve të shqiptarëve, pasi që nuk ka ‘Shqipëri të Madhe’, ka vetëm komb shqiptar”, ka thënë tutje Rama, raporton Ballkani.info.
Ndër të tjerash, Rama ka thënë se tashmë ka nisur edhe zbatimi i draftit teknik për integrim kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë duke u bazuar në sistemin Schengen dhe që së shpejti pritet lëvizja e lirë mes dy shteteve. /Ballkani.info







