Rama në zyrën e Metës, takimi pas mosdekretimit të Lleshit

Edhe sot nuk ka asnjë koment nga mazhoranca pas mosdekretimit të Presidentit Ilir Meta të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm një natë më parë.

Po ashtu, nuk ka as nga presidenca shpjegime mbi arsyet që e çuan kreun e shtetit që të merrte këtë vendim, ndërsa rreth orës 11:30 minuta kryeministri Rama shkoi në zyrën e Presidentit Meta, ku po zhvillon një takim me të.

Postimi i vetëm i Presidentit në faqen e tij në “Facebook” sot ishte një foto e tij ku uron “Një të diel të mbarë në këtë ditë plot diell”.

Përmes, një mesazhi kryeministri Rama porositi mbrëmë deputët që të ndiqnin shembullin e tij për të mos komentuar vendimin e Metës.

“Lutem, asnjë lloj komenti askush për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës, me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”, ishte mesazhi që iu mbërriti socialistëve. Ky reagim erdhi pas deklaratës së zëdhënësit të kreut te shtetit se:“Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për ti dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.

Presidenti Meta, nuk dha asnjë shpjegim se çfarë nuk e bindi për Lleshin.

Ndryshe nga qëndrimi që mbajti paraardhësi i tij Bujar Nishani, i cili krahas rezervave për Fatmir Xhafën, e dekretoi me argumentin se Kushtetuta nuk ia lejonte ta refuzonte. Presidenti Ilir Meta nuk ndau të njëjtin qëndrim.

Zëdhënësi i tij foli për bindje dhe jo për arsye se përse. Ndërkohë që mes Presidentit dhe Kryeministrit qënderojnë pezull disa çështje, si ajo për kreun e SHISH, plotfuqishmëria për negociatat e detit, por edhe posti i ri drejtues i kreut të ri të KLSH.

Nga 34 emra që përmendi presidenti dy janë më të mundshmit Bahri Shaqiri, ish-shefi i SHISH dhe socialisti Anastas Angjeli.