Rama në samitin e liderëve të Evropës në Pragë: BE të mos ketë mur, të jemi të gjithë bashkë

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Pragë për samitin e 44 udhëheqësve të Europës që pritet t’i japë jetë krijimit të Komunitetit Politik Europian.

Para gazetarëve Kreu i qeverisë ka thënë se është e nevojshme që shtetet europiane të jenë së bashku.

“Nuk është një ide e re, por shumë e vjetër. Por rilind kur ka kohë krizash. Shpresoj që nuk do të kemi nevojë për kriza të tjera për të pasur një takim si sot. Nga ky takim do të vijojmë të ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e vendeve dhe popujve të Europës. Shqipëria është pjesë e rajonit që është Ballkani Perëndimor. Për ne është tepër e rëndësishme që BE të mos ketë një mur, por të jemi të gjithë së bashku”, u shpreh Rama për gazetarët.