“Ngritja e Shqipërisë në një nivel më të lartë bashkëpunimi me shtetet afrikane dhe njohja e Kosovës”.

Këto kanë qenë dy kërkesat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të parashtruara për Presidentin e Kenias, William Ruto.

Gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre, Albanian Post ndër të tjera mëson se Rama vizitën e tij të parë në Afrikë e zhvillon në shtetin e Kenias, një vend me 53 milionë banorë, ndër më të zhvilluarit të kontinentit afrikan dhe ndër më inluencuesit në rangun ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, ekziston mundësia e ardhjes së Ruto-s për vizitë shtetërore në Tiranë, ku mendohet të jetë në vëmendje edhe një donacion për kopshtin zoologjik të Tiranës, i rizhvilluar vitin e fundit.

Kjo, pasi Kenia njihet për savanën e gjerë dhe tokat liqenore, por është gjithashtu shtëpia e kafshëve të egra si luanët, elefantët dhe rinocerontët, me ligje të posaçme për mbrojtjen e jetës së kashëve të egra në kushte natyrore.

Ndaj, nëse një surprizë e tillë me donacion konkret vjen nga Kenia, e gjitha mund të bëhet vetëm me firmën presidenciale të Ruto-s dhe në kushte monitorimi të veçanta.

Shqipëria në nivel historik nuk ka pasur raporte të zhvilluara me vende të Afrikës, përpos relatave të vendosura kahera me vende të Magrebit kryesisht Egjiptin.

Një mundësi e re zhvillimi të raporteve në këto kushte, do të hapte edhe një sferë tërësisht të ndryshme dinamikash për diplomacinë shqiptare.

Njohja e Kosovës po ashtu ka qenë prej kohësh në agjendën e Kenias dhe ha indicie të mira se ajo mund të arrihet.

Përpos Ramës, Ruto-s, zyrtarëve kenianë dhe atyre shqiptarë, në takim ka marrë pjesë edhe Jetlir Zyberaj, sipërmarrës i njohur edhe në Afrikë dhe njëkohësisht këshilltar i ish-Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Gjithashtu, vlen për t’u përmendur fakti se në Kenia, ndodhet edhe një prej zyrave më të mëdha të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Afrikë, si edhe fakti se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, origjinën e tij e ka nga aty.