Rama i përgjigjet Kryetarit të LDK’së: S’kam unë lidhje dhe as s’kam punuar në Jugosllavi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se s’ka punuar dhe as s’ka lidhje me Jugosllavinë. Këtë përgjigje ai e ka dhënë duke iu përgjigjur kundërshtimit të Isa Mustafës për mini shengein ballkanik.

“Kam respekt për Isa Mustafën. Kemi punuar bashkë. Ruaj kujtim të mirë me të dhe jam i befasuar nga deklarata e tij. Por siç ka ai opionin e tij të ndryshëm nga unë, kam unë opinion të ndryshëm ndaj tij. Të flasësh për një proces që rikrijon Jugosllavinë, të ma thuash mua që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë dhe as kam lidhje me Jugosllavinë, veç kujtimit të keq të keqtrajtimit të shqiptarëve, më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, ka thënë Rama, në një konferencë për media në Samitin e Ohrit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërthyer në akuza ndaj Kosovës pas refuzimit të Presidentit Hashim Thaçi për të shkuar në Ohër ku Rama, Vuçiq, Zaev kanë çuar përpara nismën për lëvizjen e lirë që po quhet minishengen ballkanik.

Së pari ka goditur Thaçin të cilit ia ka numëruar të gjitha samitet e Ballkanit Perëndimor ku ka marrë pjesë bashkë me liderë tjerë të Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe ata serbë.