Në Kongresin e 4-t të Lëvizjes Qytetare URA, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dërgoi një mesazh mbështetjeje për liderin e URA-s, Dritan Abazoviq, duke theksuar rolin e tij unik politik në rajon dhe vlerat progresive që ai përfaqëson, njoftoi partia në mbrëmje.

“Një ide e guximshme u shndërrua në një parti politike, e cila në sytë e mi e bëri themeluesin e saj, liderin tuaj Dritan Abazoviq, një pionier në politikën ballkanike – një bartës të një barre që askush tjetër nuk guxoi ta mbajë,” tha Rama në një video-mesazh, i cili, sipas GP URA, u gjenerua në gjuhën malazeze duke përdorur inteligjencën artificiale (AI).

Rama theksoi se Abazoviq i kapërceu kufijtë e politikës së vjetër identitare dhe foli në emër të çdo qytetari, pa dallim etnie, shkruan vijesti.me.

“Dritani ishte një shpirt i lirë që dinte të fliste me të njëjtin respekt dhe ndjeshmëri, qoftë kur iu drejtohej një malazezi, serbi, boshnjaku apo shqiptari,” tha lideri i Shqipërisë.