Rakiq tha se mund ta formojë vetë Asociacionin, Kurti hesht dhe nuk i thotë “mundesh, por pastaj nuk mundesh”

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, vazhdimisht po e sfidon shtetin e Kosovës. 

Ministri i Kurtit nga komuniteti serb, Goran Rakiq, edhe dje e sfidoi shtetin e Kosovës, duke folur për mundësinë që Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ta formojë vetë.

Ai tha se serbët s’do të pajtohen në vonesa të pafundme për formimin e asociacionit, shkruan Demokracia.com.

“Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar i Prishtinës, për të cilin u angazhuan përfaqësuesit e Prishtinës dhe jo vetëm ata, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Ajo që po dëgjohet tani nga disa përfaqësues ndërkombëtarë është një përpjekje për të pakësuar rëndësinë e Asociacionit, pavarësisht marrëveshjes që tashmë është arritur. Populli serb nuk do të pajtohet me këtë, ashtu siç nuk do të pajtohet me një vonesë të pafund. Në këtë kuptim, ne nuk i shmangemi mundësisë për ta formuar vetë Asociacionin, duke respektuar marrëveshjen ndërkombëtare që parashikonte ekzistencën e tij”, tha Rakiq.

Megjithatë, Rakiq përkundër të gjitha veprimeve në dëm të Republikës së Kosovës, ai asnjëherë nuk qortohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili në Qeverinë Kurti 1 kishte shkarkuar ministrin e asaj kohe Agim Veliun, me arsyetimin se nuk ishte në linjë me Qeverinë, por me presidentin Hashim Thaçi lidhur me propozimin për gjendjen e jashtëzakonshme.

Madje, të gjithë e kujtojnë deklaratën e Kurtit për Veliun.

“Nuk mundesh, ndoshta edhe mundesh, po pastaj nuk mundesh se të shkarkojnë”.

Edhe pas deklaratës së Rakiqit se mund ta formojë vetë Asociacionin, Kurti ka zgjedhur heshtjen dhe atij nuk po i thotë “mundesh, por pastaj nuk mundesh se të shkarkojnë”.