Rreth dy mijë serbë kanë marrë pjesë sot në atë siç e quajtën ‘protestën e madhe’, në shenjë kundërshtimi për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.

Ata protestuan para selisë së BE-së në veri të Mitrovicës, ndërsa në duar mbanin flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimet ‘Po na rrahin e terrorizojnë’, ‘UNICEF ndihmë’, ‘S’kemi ilaçe’, ‘Nuk kemi oksigjen për inkubatorë’ dhe të ngjashme, të shkruara në gjuhën angleze e serbe.Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ka quajtur taksat ‘anticivilizuese dhe diskriminuese’, ndërsa ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, pasi ato sipas tij, kërcënojnë mbijetesën e serbëve. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, në lidhje me propozimin e para disa ditëve rreth bashkimit të Mitrovicës, tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë, pasi veriu i Mitrovicës është qytet i serbëve.

Në emër të studentëve foli Nemanja Bishevac, i cili tha se taksat kanë pamundësuar furnizimin me ushqim në mensën e studentëve, ilaçet për poliklinikën, si dhe librat për bibliotekat e studentëve.

Para të tubuarve kanë folur edhe kryetarët ilegalë të katër komunave veriore, duke kërkuar heqjen e taksave ndaj produkteve serbe nga ana e Prishtinës.
Edhe kjo protestë përfundoi e qetë rreth orës 13:00, ndërsa u paralajmëruan protesta edhe gjatë ditëve në vijim.