Rakiq i thotë Lajçakut: Vetëm me Asociacion përmirësohet pozita e serbëve në Kosovë

Ministri për Komunitete dhe Kthim, i cili është edhe kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, në takimin që pati me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, i ka thënë se pozita e serbëve në Kosovë “përmirësohet” vetëm me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një deklaratë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim thuhet se themelimi i Asociacionit është çështja më themelore për serbët e Kosovës dhe se serbët kërkojnë që të realizohet “gjithçka për të cilën është rënë dakord me formimin e tij”.
“Të gjitha çështjet e hapura ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve duhet të zgjidhen përmes dialogut në Bruksel, por edhe gjithçka duhet të zbatohet siç parashikon marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse vetëm kështu mund të zgjidhim problemet. Të gjitha lëvizjet e njëanshme do të destabilizojnë situatën në terren dhe do të vënë në pikëpyetje marrëveshjet e tjera që janë rënë dakord”.

Ministri i Qeverisë së Kosovës foli si përfaqësues i Serbisë në kur tha se kanë qenë “palë konstruktive” në dialog.

“Ne kemi qenë gjithmonë një partner konstruktiv në hapjen e rrugës për një të ardhme më të mirë dhe të njëjtën presim nga fqinjët tanë me të cilët duhet të ndërtojmë bashkëjetesë”, tha ministri Rakiq dhe kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

Rakiq iu ankua Lajçakut edhe për gjendjen ekonomike të serbëve të Kosovës dhe tha se përmirësimi i saj do të ndikojë edhe për përmirësimin e pozitës së tyre në Kosovë. Ndërkaq, Rakiqi i përmendi emisarit europian edhe “incidentet” me serbët që duan të kthehen.

“Incidentet që ndodhin në mjediset e të kthyerve duhet të ndalojnë menjëherë, sepse procesi i kthimit vazhdon dhe kjo është shumë e keqe”, thuhet në deklaratë.