Raka jep lajmin e mirë, u tregon mërgimtarëve nëse mund të vijnë për pushime në Kosovë

Pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 14 mars janë mbyllur kufijtë e vendit për shtetasit e huaj.

Interesim tejet i madh është shprehur nga ana e mërgimtarëve të kuptojnë nëse tash pas përmirësimit të gjendjes me virusin do të hapen kufijtë e vendit. Lidhur me mundësinë që diaspora të vijë në Kosovë për pushime, infektologu Lul Raka ka thënë se kjo varet nga situata epidemiologjike në vendet ku ata jetojnë.

“Për diasporën që planifikojnë me ardh varet prej situatës epidemiologjike në vendet e tyre dhe rrugët që planifikojnë me ardh. Momentin që i hapin kufijtë në shtetet që ata jetojnë atëherë nuk ka pse të mos vijnë, por rreziku është më i ulët dhe nuk duhet t’iu ndalohet”, ka thënë ai në emisionin “Sot” në KTV.

Raka ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në pushime. Ai ka thënë se edhe Mali i Zi edhe Shqipëria do të hapin kufijtë porse nuk do të lejohet fluks i madh i qytetarëve.

“Mali i Zi ka qenë ndër vendet me menaxhimin më të mirë. Shqipëria ka planifikuar të hap kufirin, do të ketë pushime por distanca sociale do të jetë edhe nëpër plazhe. Edhe autoritetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk mendoj se do të lejojnë që të shkohet me flukse të mëdha njerëzve”, ka thënë tutje ai.