Në një intervistë me Ballkani.info ish-kryetari i Luginës së Preshevës dhe tani Kryetar i PDSH-së, Ragmi  Mustafa, ka folur për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë në Luginë të Preshevës.

Sipas tij, jeta për shqiptarët atje çdo ditë e më tepër po vështirësohet duke filluar nga rritja e papunësisë e deri tek presionet psikologjike që po ushtron xhandarmëria serbe.

Mustafa tutje vlerëson lartë vullnetin e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës me Kosovë, duke e konsideruar hap sa të guximshëm, njëherit edhe historik. E në anën tjetër duke komentuar thirrjet për protesta të Vetëvendosjes, për të ndaluar korrigjimin e kufijve, Mustafa, thotë që është e drejtë e politikës opozitare në gjithë botën por edhe në Kosovë është që të protestojë për motive politike. Nga kjo, edhe Vetëvendosje ka të drejtën e saj që të kundërshtojë korrigjimin e kufijve që përmendet nga presidenti Thaçi, por jo edhe kundër ribashkimit të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovë. Këtë vullnet politik të shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk ka të drejtë askush t’ia mohojë e aq më pak t’i pengojë në një proces historik të ribashkimit të tyre me Kosovën. Është përgjegjësi historike për gjithë ata që do të paraqiten pengesë e ribashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovë.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Cila është situata aktuale politike dhe e sigurisë në Luginë të Preshevës?

Ragmi Mustafa: Në Luginën e Preshevës që përfshinë komunat me shumicë shqiptarësh autokton në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për sa kohë më parë por edhe tani situata politike dhe e sigurisë së shqiptarëve është tejet e brishtë dhe e rëndë. Në këto tre komuna shqiptarët trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, tretë apo edhe të nivelit më të ulët voglie. Të drejtat elementare si ato individuale por edhe kolektive të shqiptarëve janë në nivelin më të ulët të mundshëm krahasuar me të drejtat e pakicave kombëtare në vendet e europës perëndimore, mbase dhe botës së përparuar demokratike. Edhe pas më shumë se tridhjetëekatër vite ndalese të përdorimit të teksteve shkollore që botohen në Prishtinë, nuk ka një disponim të lirimit të tyre në përdorim të lire, në bankat shkollore për fëmijët shqiptar në shkollat fillore e të mesme. Gjithsesi, pengesa e përdorimit të simboloit kombtar, rëndon akoma më shumë situatën e sigurisë së shqiptarve në Luginë, sidomos tani kur po ofron festa e flamurit për gjithë shqiptarët në botë por jo edhe ata në Luginë të Preshevës. Shkalla e lartë e papunësisë në këto tre komuna është e shprehur plotë gjashtë deri shtatë herë më e lartë se mesatarja në Serbi. Kjo, pa dyshim se konfirmon për të satën herë formën e diskriminimit të pa mëshirshëm të shtetit serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur. E gjithë kjo me të vetmin qëllim, shpërnguljen e heshtur të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone me metoda më të moderuara të kohës.

Nga ana tjetër, shtimi i forcave policore speciale të xhandarmërisë serbe muajin e fundit e krahas tyre edhe të ushtrisë së rregullt serbe në vijën kufitare mes Luginës së Preshevës dhe Republikës së Kosovës, pikërisht mes shqiptarëve dhe shqiptarëve është edhe një formë më e rëndë e presionit psikologjik ndaj shqiptarëve të këtyre tre komunave të pambrojtur e të lënë nën mëshirën e pushteteve serbe nga më të pamëshirshmet në ballkanin perëndimor.

Ballkani.info: Sa është interesimi i spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës në Lidhje me bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës sipas idesë së presidentit Hashim Thaçi?

Ragmi Mustafa: Ideja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, fillimisht buron në referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992, pikërisht në vullnetin politik të shqiptarëve të këtyre tre komunave. Tani, kohën e fundit ose nga muaji korrik i vitit rrjedhës fatmirësisht presidenti Thaçi e pranoi si kërkesë legjitime dhe institucionale të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Sa i përket spektrit të tanishëm politik, mund të them lirisht se Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) në krye të së cilës për këtë mandat qëndroj unë, verën që po lëmë pas inicioi me guximin më të madh të mundshëm seancën e këshilltarëve shqiptar të tre komunave në Luginë me qëllimin e ardhjes deri në pikën që për sa kohë e kemi pritur, jo më pakë se 26 vite, që verdikti i popullit të shprehur në referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992 të njihet dhe pranohet fillimisht nga autoritetet e Kosovës e më vonë edhe më larg. Gjë e cila ndodhi, pranimi nga ana e presidentit Thaçi e në vijimësi edhe nga autoritetet e Brukselit zyrtar si dhe institucionet e SHBA-ve, deri në presidencën e tyre. Në lidhje me këtë proces, pa dyshim se edhe spektri politik shqiptar në Luginë të Preshevës dikush menjëherë e dikush shumë gradual po bashkëngjiten në këtë proces të bashkimit të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës.

Ballkani.info: Si e shihni Ju personalisht, idenë e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë?

Ragmi Mustafa: Bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës nuk e shoh vetëm si ide por realitet të kohës. Përderisa presidenti serb për ditë e më tepër angazhohet për serbët e pjesës veriore të Kosovës, pse presidentit Thaçi t’i mohohet e drejta për angazhimin e tij për bashkimin e këtyre tre komunave me shumicë shqiptarësh autokton me Republikën e Kosovës? Përderisa homologu i tij, në këtë fushë është shumë diskret e dinak, kujtoj se presidenti Thaçi është plotësisht më i drejtpërdrejtë dhe korrekt. Nga ana tjetër përveç verdiktit të popullit shqiptar në Luginë të Preshevës të shprehur në referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë akoma më shumë kapital politik për bashkimin e tyre me Kosovë. Është lufta e UÇPMB-së vitin 200/2001, pastaj platforma politike e 14 janarit 2006 të këshilltarëve shqiptar të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, masat urgjente për zgjidhjen politike të statusit politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës vitin 2013 dhe shumë e më shumë aktivitete tjera politike, që në bashkëpunim me ndërkombëtarët jemi përpjekur të avansojmë pozitën e shqiptarve në këto tre komuna.

Në kohën kur këtë iniciativë të bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës po e mbështesin fuqishëm Bashkimi Evropian në Bruksel, SHBA-të edhe atë nga të gjitha institucionet e saja; senat, kongres, administratë shtetrore madje edhe në presidencën e z. Donald Trump, pse të mos e besoj dhe mbështes fuqishëm këtë bashkim të pritur jo më pakë se një shekull. Nga ana tjetër duke pasur parasysh, shkeljet flagrante të të drejtave individuale e kolektive të shqiptarëve nga shteti serb, me pa durim po presim ditën e çlirimit të shqiptarëve nga ky diskriminim shekullor dhe bashkëngjitjes me Republikën shumë të dashur për ne, atë të Kosovës. Duke qenë se SHBA-të janë duke qëndruar shumë fortë përkrah këtij procesi të bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovë, edhe më shumë shton entuziazmin dhe besueshmërinë se një gjë e tillë shumë shpejt do të ndodhë.

Ballkani.info: A do të pranonit bashkim të pjesshëm të Luginës me Kosovë?

Ragmi Mustafa: Fillimisht nuk e besoj se një gjë e tillë të ndodhë. Lugina e Preshevës do të bashkohohet me Kosovë duke integruar të gjitha vendbanimet me shumicë shqiptarësh autokton. Nuk ka asnjë kuptim që ndonjë nga vendbanimet me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës të mbetet jashtë territorit integral të Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, cili do të jet kuptimi i korrigjimit të kufijve të vendosur padrejtësisht në kohën e ish Jugosllavisë ndaj shqiptarëve dhe tokave të tyre. Aq më tepër nuk do të ketë kuptim dhe përkufizimi i kufijve me shqiptarët, koncept që për të gjithë këtë është përdorur nga autoritetet serbe pikërisht presidenti i serbisë. Mashtrimet në politikë janë edhe të mundshme por jo edhe të planifikueshme, siq ndodhë me presidentin serb! Ne, do t’i besojmë maksimalisht dhe në tërësi garantuesit të marrëveshjes së pritshme ndërmjet Serbisë e Kosovës, BE-së e sidomos SHBA-ve. Nga ana tjetër nëse pyeten, konsultohen dhe vendosin politika shqiptare në Luginë të Preshevës, sigurisht se nuk do të ketë zgjidhje të pjesëshme por zgjidhje e bazuar në referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992.

Ballkani.info: Si e shihni marshin mbështetës për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë organizuar nga Shoqata patriotike “Çamëria” e Kosovës, ku ishit prezent edhe Ju?

Ragmi Mustafa: Organizimi i marshit protestues nga Shoqata patriotike “Çamëria” e Kosovës, është një hap i mbarë që po ndodhë në Kosovë në mbështetje të shqiptarëve të pa mbrojtur në Luginën e Preshevës. Unë, personalisht përshëndes këtë hap të guximit patriotik e politik të shoqatës në fjalë si dhe prijësit të saj z. Nexhmi Muçiqi me bashkëpuntorët e tij. Presim reagimin edhe të pjesës tjetër të shoqërisë civile por edhe të politikës Kosovare në mbështetje të ribashkimit të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës.

Ballkani.info: Si i komentoni thirrjet e Vetëvendosjes për protesta kundër korrigjimit të kufijve?

Ragmi Mustafa: E drejtë e politikës opozitare në gjithë botën por edhe në Kosovë është që të protestojë për motive politike. Nga kjo, edhe Vetëvendosje ka të drejtën e saj që të kundërshtojë korrigjimin e kufijve që përmendet nga presidenti Thaçi, por JO edhe kundër ribashkimit të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovë. Këtë vullnet politik të shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk ka të drejtë askush t’ia mohojë e aq më pak t’i pengojë në një proces historik të ribashkimit të tyre me Kosovën. Është përgjegjësi historike për gjithë ata që do të paraqiten pengesë e ribashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovë. Raste të tilla të zgjidhjeve politike në histori bazuar në të kaluarën ndodhin shumë rrallë, edhepse të rralla janë raste të tilla, fatmirësia u takon shqiptarëve të Luginës së Preshevës për çlirimin e tyre nga pushtuesi serb, edhe përkundër shumë e më shumë problemeve e luftrave tjera të popujve kudoqoftë në botë për çlirim që po ndodhin sot. Vetëvendosje është një subjekt politik në perspektivë që vepron brenda Kosovës, dhe shumë e mundshme është që në të ardhmen e afërt të jet me kryeministër e president të saj në Prishtinë. Që atëherë do e kuptojë më së miri se cila do të jetë ndjesia e tyre kur do të priteshin në Luginë të Preshevës e paragjykoj të bashkuar brenda Kosovës. Një pritje eventuale do të ishte e përcjellur me shumëlotë për faqe te shqiptarëve nga gëzimi e dashuria ndaj institucioneve të Kosovës. Besa, edhe në faqet e autoriteteve të Kosovës nuk do të mungonin lotët e gëzimit e mallëngjimit! Po sikur, të shkonin në veri të Republikës së Kosovës, shtroj pyetjen se me çfarë lotë dëshprimi e trishtimi do të ktheheshin nga sjelljet e kryebanditëve neokriminel serb të instaluar për njëzet vitet e fundit nga Serbia aty? Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të Kosovës, pavarësisht se kushdoqoftë don t’a quaj ndryshe Luginën e Preshevës, ia bëj me dije se ajo quhet Kosovë dhe vetëm Kosovë.

Ballkani.info: Cili është mesazhi Juaj për spektrin politik në Kosovë dhe Luginë të Preshevës?

Ragmi Mustafa: Mesazhi në kohë reale për spektrin politik në Republikën e Kosovës është ai i Referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992, nga shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkim me Kosovë. Mesazh më i mirë e më i fuqishëm se i popullit shqiptar kudo që të jet ai e besoj shumë se nuk ka. Ashtu si ditën spektri politik i Luginës të jet i bashkuar vitin 1992 por edhe në raste të tjera më vonë, le të bashkohet edhe spektri politik në Republikën e Kosovës për zgjerimin e autoritetit të tyre në lindje të Kosovës pikërisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj, bëhuni bashkë për shqiptarët e Luginës me qëllim që Presheva, Medvegja e Bujanoci të bashkohen njëherë e përgjithmonë me trungun e saj Republikën e Kosovës. Është moment historik!

Gjersa, spektrit politik të Luginës ua nis mesazhin: mos e humbni besimin në procesin e bashkimit të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës. Idetë politike në këtë fushë konvergjoni në një pikë e ajo le të jet targeti: bashkimi me Kosovë!