Arrestimi

Ragip Hajdini i arrestuar për grabitjen në Rinas, mik i ngushtë i biznesmenit të njohur kosovar

Pasditen e sotme policia shqiptare vuri në pranga një 50- vjeçari nga Peja si person i dyshuar për grabitjen e ndodhur rreth dy javë më parë në Rinas.

Ragip Hajdini u vu në pranga gjatë një aksioni të policisë në Kavajë. Ndërsa është personi i gjatë i arrestuar për vjedhjen e 6.7 milionë eurove në aeroportin e vetëm të Shqipërisë.

Gazeta Express zbulon detaje në lidhje Ragip Hajdinin.

Ai është nga lagjja Kapshtiçë e Pejës dhe njihet me emrin “daja”.

Hajdini është shok i ngushtë më një biznesmen të njohur në Kosovë.

Deri pak kohë më parë biznesmeni në fjalë ka qenë edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Kosovë, ndërsa sapo ndodhi grabitja në Rinas, ky i fundit ka zhdukur numrin shqiptar.

Gjithashtu i arrestuari Ragip Hajdini është shok i ngushtë i vëllait të një ministri në Kosovë.

Ndërsa sipas mediave ai është i përfshirë edhe në grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës.

50- vjeçari nga Peja gjatë vitit 2008 ka qenë i burgosur në Gjermani.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes së datës 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, informojmë se është kapur dhe ndalur shtetasi R.H., 50 vjeç, lindur e banues në Pejë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë, për veprën penale te “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer ne bashkëpunim e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 140 e 25 dhe 333/a,” 279, 79 b dhe 278 C, të Kodit Penal”, njofton sot policia për arrestimin e Ragip Hajdinit.

Ndërsa fillimisht emri i tij doli pas dëshmisë të të penduarit Alkond Bengasi.

Bengasi e përshkruante atë si njeriun që takonte shpesh Admir Muratajn dhe Klement Çalën.

I penduari i drejtësisë, Alkond Bengasi tregon bisedën me Klement Çalën, i cili e kishte paralajmëruar se do të dëgjonte një tronditje të madhe.