Rafuna: Për Kosovën është i rëndësishëm partneriteti me Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe homologu i tij maqedonas, Branko Azesi kanë diskutuar të hënën në Prishtinë për iniciativat e reja të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal.

Kryetari Rafuna deklaroi se patën mundësinë që të shkëmbejnë idetë dhe sfidat qe po përballen bizneset.

Në një konferencë për media, Rafuna theksoi se partneriteti me Maqedoninë e Veriut është me rëndësi për shtetin e Kosovës.

“Patëm mundësinë që të shkëmbejmë mendimet, idetë me sfidat që po përballen bizneset që kanë të bëjnë me inflacionin, me bashkëpunimin regjional, dhe gjitha këto tema jo vetëm që i përkasin bizneseve të Maqedonisë dhe Kosovës, por të gjitha bizneseve. Për Kosovën është shumë me rendësi partneriteti me Maqedoninë e Veriut”, tha Rafuna.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski u shpreh se në vitet e ardhshme prioritet duhet të jetë biznesi dhe jo politika.

“Lëvizja e bashkëpunimit kufitar zhvillohet, ashtu që ne mendojmë se gjatë mandatit tonë ata kufij do të zhduken. Biznesi do t’i rrëzojë ato kufij dhe ne do të punojmë të përkushtuar për atë proces. Në 10 vitet e ardhshme biznesi të jetë prioritet e jo politika. Biznesi të zgjedh problemet e komunikimit tonë, të veprimtarisë tonë të përbashkët e Ballkanit perëndimor dhe biznesi të jetë domionues”, tha Azeski.