Rafuna: Kemi rritje të të hyrave buxhetore prej 6.8 përqind

Ministri i Financave në detyrë, Lulzim Rafuna, ka prezantuar sot raportin e punës së kësaj ministrie gjatë vitit 2019, ku u bë e ditur se të hyrat e përgjithshme buxhetore kanë shënuar rritje prej 6.8 përqind.

Rafuna tha se sa i përket performancës ekonomike ka një rritje prej 4 përqind, që sipas tij, është e shtyrë nga investimet private, publike dhe nga konsumi privat.

Ai bëri të ditur se inflacioni ka tendencë të rritjes, ku tha se është një inflacion që vije nga importi. Rafuna tha se është inflacion i importuar ku edhe nëse shikohen të dhënat e importit të Doganës së Kosovës shihet që përkundër që ka një rënie të sasisë së importit për 1 përqind, vlera e mallrave të importuara është mbi 4 përqind dhe kjo sipas tij, automatikisht ka reflektuar edhe tek inflacioni ku ka tendencë e rritjes gjatë vitit 2019.  

Rafuna tha se Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2019.

Ministri në detyrë i Financave, tha se sa i përket shpenzimeve të buxhetit ka pasur një rritje prej 7.3 përqind, ku shpenzimet kanë arritur vlerën e 2 miliardë e 90 milionë euro, por që ai tha se ishin planifikuar 2 miliardë e 373 milionë euro, e që sipas tij, ka një nënshpenzim të shpenzimeve të planifikuara.

Rafuna tha se borxhi i brendshëm është 791 milionë apo 11 përqind, ndërsa borxhi i jashtëm është 452 milionë apo 6.4 përqind.

Sa i përket deficitit buxhetor, Rafuna tha se suksesi më i madh dhe që ka treguar një disiplinë shumë të madhe buxhetore ka qenë se kanë qëndruar brenda rregullave fiskale të cilat janë të parapara me ligj, ku shtoi se deficiti buxhetor është vetëm 0.7 përqind i ulët dhe që është më i ulëti që ka ndodhur në vitet e fundit. Ai po ashtu, tha se bilanci bankar mbetet në nivele adekuate.

I pyetur rreth ankesave të bizneseve se po humbin shumë nga kostoja e firos, ministri në detyrë tha se kjo çështje ka qenë e rregulluar ne ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar, por që tha se me dorëheqjen e qeverisë ky ligj është kthyer në pikën zero. Ai u shpreh i bindur se edhe qeveria e re do ta trajtojë këtë çështje.

Rafuna që është emëruar së fundi në detyrën e ministrit të Financave tha se do të jetë në këtë pozitë derisa të emërohet ministri i ri dhe se do t’i kryej të gjitha obligimet ligjore që i ka si ministër i Financave.