Rafalet e të akuzuarit për fajde në një ndejë në Prapashticë të Prishtinës: Kalle Dalip! VIDEO

Me muzikë, alkool dhe mish të martën e 29 shtatorit, Dalip Brahimi i akuzuar për krim të organizuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, së bashku me miqtë e tij janë kapur duke gjuajtur me armë zjarri.

Ahengu është mbajtur në fshatin Praprashticë të Prishtinës. Për këtë ngjarje u raportua për arrestimin e 4 personave të martën në këtë fshat.

Në videon të cilën ka publikuar Insajderi , Brahimit edhe të pranishmit dëgjohen duke i dhënë kurajo “kalle Dalip”, derisa ky i fundit përfundon rafalet me armën që mbante në dorë.

Në lidhje me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Policia ka njoftuar se me të pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri, kanë kontrolluar pjesëmarrësit në këtë aheng dhe u kanë konfiskuar armët.

“Policia duke ndërmarr veprime të menjëhershme, ka realizuar një plan taktik duke vendosur disa ‘pika kontrolli për automjete’ në lokacione të ndryshme, ku janë ndaluar disa vetura dhe janë kontrolluar disa persona. Të njëjtit dyshohej se po vinin nga ahengu që ishte mbajtura në fshatin Prapashticë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Nga ky operacion i policisë, janë konfiskuar katër armë të shkurta, janë kontrolluar dhe verifikuar njëzet persona që ishin në vetura, pjesëmarrës në ahengun në fjalë.

“Gjatë kontrollit të automjeteve, tek të dyshuarit: • L.K. (1988, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole TT me dy karikatorë të zbrazët; • E.K. (1980, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe gjashtë fishek; • B.K. (1988, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole GLOK 17 me dy karikatorë (njëri nga ta me kapacitet prej 30 fishekëve); • D.B. (1968, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe nëntë fishekë”, thuhet tutje në komunikatë.

Deri tani nuk dihet se çka ka ndodhur me të dyshuarit që kanë shtënë më armë zjarri, e në mesin e tyre edhe për Brahimi.

Ajo çka konfirmuar policia është se rasti i është kaluar Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i DKR në PTH Prishtinë, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, përfundon komunikata e policisë.