Lajmi i fundit

Radoiçiq lirohet nga paraburgimi, i ndalohet ardhja në Kosovë

Gjykata në Beograd e liron Millan Radoiçiqin nga paraburgimi duke ia ndaluar ardhjen në Kosovë.

Kështu kanë bërë të ditura mediat nga Beogradi.

Siç raportojnë mediat në Serbi, gjyqtari ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.

“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes, njoftuan nga Gjykata e Lartë në Beograd”, raportohet në mediat e Serbisë .

Tutje bëhet e ditur se Radoiçiqit i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbis.

Sipas mediave serbe Radoiçiqi është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë të martën kishte bërë të ditur se Milan Radoiçiq ishtë arrestuar dhe se i ishte caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.

Radojiçiq pranoi publikisht se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor.

Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri më 24 shtator, nga një grup terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Ndërkaq nga gjuajtjet me armë zjarri, Policia vrau tre pjesëtarë të grupit terrorist.