Rada Trajkoviq: Integrimin e serbëve e bën mafia që mbrohet nga Vuçiqi

Serbët në veri të Kosovës kanë frikë nga “elementët kriminogjenë” nën kontrollin e Beogradit, tha Rada Trajkoviq për DW.

Emri i Rada Trajkoviqit është përmendur shumë shpesh së fundmi. Ajo u bë këshilltare në Qeverinë e Kosovës dhe për këtë kishte probleme jo vetëm në vendkalimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Kam lindur në atë zonë dhe dua të punoj për qetësimin, i cili do të jetë jo vetëm retorik, por mbi të gjitha njerëzor”, thotë Trajkoviq për DW dhe shton se dy kombet janë të drejtuara ndaj njëri-tjetrit dhe se së bashku duhet të arrijnë “Evropën””, transmeton Ballkani.info.

Autoritetet e Beogradit, siç thotë ajo, po e pengojnë punën e saj, sepse e shohin atë si dikë që dëshiron t’ia “heqë Kosovës një pjesë të sundimit mbi serbët nga zoti Vuçiq dhe pjesën e tij kriminogjene që e udhëheq, që është Milan Radoiçiq”.

Trajkoviq thotë se në Beograd është në thelb “nën arrest shtëpiak” dhe se nuk jeton “shumë e lirë”. Ajo thotë se ndihet më e relaksuar në Kosovë, edhe pse dikur ishte nën mbrojtjen e fortë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Shantazhi” i serbëve

“Qeveria e Serbisë dhe zoti Vuçiq, për mendimin tim, janë financuesit kryesorë të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, të cilët përndryshe janë në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së si kriminelë apo mafiozë transnacionalë dhe janë të dyshuar për krimin ndaj Oliver Ivanoviqit. Përkundër gjithë kësaj, ata ende i marrin projektet më fitimprurëse nga qeveria serbe dhe Ana Brnabiq”, pohon Trajkoviq.

“Serbët që u larguan nga institucionet e Kosovës marrin mundësinë e “kompensimit” nga Beogradi. Ky është “shantazh financiar” dhe “kontroll” i serbëve që nënshkruajnë kontratë me punëdhënësin e tyre – Qeverinë e Serbisë. Në këtë mënyrë, qeveria serbe “i detyron njerëzit të jenë besnikë”. “Për aktivitetet e ardhshme, ata janë duke rekrutuar popullatën në drejtim të kontrollit të tyre”, thotë Rada Trajkoviq.

Trajkoviq beson se nuk do të ketë një “zgjidhje përfundimtare” mes Serbisë dhe Kosovës, por se tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve mund të ulen, me kusht që Serbia të jetë në anën e Evropës, Amerikës dhe NATO-s. /Ballkani.info/