Rada Trajkoviq: Barrikadat nuk janë as heroizëm dhe as përgjigje autentike e popullit

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, ka paralajmëruar sot “rritje të rrezikshme të tensioneve” mes serbëve në veri të Kosovës dhe misioneve të KFOR-it dhe EULEX-it.

Ajo në një postim në Twitter ka thënë se “nuk ka stabilizim” të situatës në veri të Kosovës pa kthimin e serbëve vendas në policinë e Kosovës.

“Kjo është e qartë dhe kushdo që e mohon nuk u dëshiron mirë serbëve në veri. Janë dy prioritete – kthimi në policinë e Kosovës dhe gjetja urgjente e një kompromisi për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (me rekomandimin e Gabriel Escobarit). Alternativa është një konflikt që do të na kushtojë shumë të gjithëve”, ka shkruar Trajkoviq.

Ajo gjithashtu ka shkruar se barrikadat nuk janë as heroizëm dhe as një përgjigje autentike e popullit.

“Barrikadat nuk janë heroizëm apo përgjigje autentike e popullit (siç e kanë paraqitur edhe disa media të pavarura), por rezultat i politikave të gabuara të Beogradit dhe Prishtinës. Trendi i rritjes së tensioneve në mes të serbëve të veriut dhe KFOR/EULEX-it, përveç që është pa qëllim, është i rrezikshëm edhe për sigurinë e komunitetit”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se Trajkoviq ka përjetuar një shqetësim të madh javën e kaluar kur është ndalur në pikën kufitare në Merdare dhe nuk është lejuar të hyjë në Serbi për 12 orë. /Ballkani.info/