Qyteti që po “pushtohet” nga pëllumbat: Do t’i “përjashtojmë” 5000
Autoritetet e qytetit spanjoll, Cadiz, e kanë krijuar një plan që ta zvogëlojnë numrin e madh të pëllumbave që jetojnë në këtë qytet. Ata do t’i dërgojnë në vende tjera rreth 5 mijë pëllumba. Qyteti ndihet i shqetësuar dhe i penguar nga mijëra pëllumba dhe ndotja që ata shkaktojnë, por zyrtarët nuk po duan që t’i helojnë ata.
Në vend të helmimit, ata planifikojnë që t’i zënë rreth 5 mijë pëllumba dhe t’i dërgojnë në vende të largëta, duke shpresuar se nuk do të kthehen më. Sipas zyrtarëve, kjo paraqet një zgjidhje më të qëndrueshme. Këshilltari komunal i qytetit, Alvaro de la Fuente, tha se qëllimi kryesor nuk është zhdukja e pëllumbave, por thjesht që të vendoset një baraspeshë mes numrit të njerëzve, pëllumbave dhe krijesave tjera në qytet.
Pëllumbat e zakonshëm dallohen për aftësinë e tyre për t’i njohur vendet e mëparshme, por zogjtë e egër zakonisht janë të kënaqur kur gjejnë vende të reja, prandaj shpresohet që shumica nuk do të kthehen më në qytet. Planifikohet që pëllumbat të dërgohen rreth 275 kilometra larg qytetit. Pëllumbat shumohen shpejt dhe besohet që ata nuk do të zhduken plotësisht nga qyteti, shkruan “BBC”.