Qyteti gabimisht i dërgoi 360 mijë dollarë – japonezi i shpenzon paratë “shpejt e shpejt” në bixhoz

Në vend që t’i kthente 360 mijë dollarë të ndihmës për COVID-19 që qyteti i vogël ia dërgoi gabimisht në llogarinë personale bankare, Sho Taguchi i harxhoi shumicën e parave në bixhoz.

Tani 24-vjeçari është arrestuar, njoftoi policia japoneze, pasi pranoi se kishte shpenzuar pjesën më të madhe të parave që ishin menduar si lehtësim gjatë pandemisë për familjet me të ardhura të ulëta.

Taguchi, një banor i papunë i qytetit të Abu në Japoninë perëndimore, po mbahet nën dyshimin për mashtrim kompjuterik, sipas policisë së qytetit të Yamaguchit.

Rasti ka bërë bujë përtej qytetit të vogël, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe zemërimin e qytetarëve, raporton nbcnews.

Fondet ishin subvencione për coronavirus që u depozituan në llogarinë bankare të Taguchi në muajin prill. Secila nga 463 familjet me të ardhura të ulëta në Abu, e cila ka një popullsi prej vetëm 3,372 banorësh, supozohej të merrte 780 dollarë.

Por një zyrtar i qytetit gabimisht i transferoi të gjitha paratë tek Taguchi, emri i të cilit ishte i pari në listën e marrësve.

Arrestimi i 24-vjeçarit u bë pasi ai dyshohet se paratë i transferoi në një llogari që besohet të jetë një ueb-faqe e bixhozit. Policia nuk pranoi të thoshte se sa nga paratë ai i humbi në të vërtetë, megjithëse ata thanë se janë kthyer pjesa më e madhe e tyre.

Avokati i Taguchi i tha transmetuesit japonez TBS News se “të gjitha paratë e transferuara u përdorën në kazinotë online jashtë shtetit”.

Ndryshe, zyrtarët e qytetit po hetojnë rastin se si kaloi pa u vënë re transferimi i gabuar i parave, një gabim që ka shkaktuar një valë kritikash nga banorët.