Qytetet më të shtrenjta për të jetuar për vitin 2021

Tel Avivi është emëruar si qyteti më i shtrenjtë në botë për të jetuar, në një kohë kur inflacioni dhe problemet e zinxhirit të furnizimit kanë sjellë një rritje globale të çmimeve.

Qyteti izraelit doli në krye për herë të parë në renditjen e “Economist Intelligence Unit”, duke u ngjitur nga vendi i pestë vitin e kaluar në vendin e dytë, duke lënë pas Parisin dhe Singaporin.

Damasku, në Sirinë e shkatërruar nga lufta, ruajti vendin e tij si qyteti më i lirë në botë.

Anketa krahason kostot në dollarë amerikanë për mallrat dhe shërbimet në 173 qytete.

“Economist Intelligence Unit” raporton se të dhënat e mbledhura në gusht dhe shtator treguan se mesatarisht çmimet u rritën 3.5% në terma të monedhës vendase, norma më e shpejtë e inflacionit e regjistruar gjatë 5 viteve të fundit.

Transporti ka shënuar rritjet më të mëdha të çmimeve, ku kostoja e një litri benzinë ​​është rritur mesatarisht me 21% në qytetet e studiuara.

Ngjitja e Tel Avivit në krye të renditjes së kostos botërore të jetesës të EIU reflektoi kryesisht rritjen e vlerës së monedhës izraelite, shekelit, kundrejt dollarit.

Sondazhi zbuloi se Tel Avivi ishte qyteti i dytë më i shtrenjtë për alkool dhe transport, i pesti për sendet e kujdesit personal dhe i gjashti për rekreacion.

Vitin e kaluar, Parisi, Zyrihu dhe Hong-Kongu ndanë bashkë vendin e parë, ndërsa këtë vit Zyrihu dhe Hong-Kongu zunë respektivisht vendin e katërt dhe të pestë, të ndjekur nga Nju-Jorku, Gjeneva, Kopenhagen, Los Anxhelos dhe Osaka.

Roma pati rënien më të madhe në renditje, duke rënë nga vendi i 32-të në vendin e 48-të, pas rënies së mprehtë të çmimeve të ushqimeve dhe veshjeve.

EIU tha se renditja vazhdon të jetë e ndjeshme ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.