Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, po e vazhdon fushatën para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Të enjten, VV-ja publikoi në “Facebook” një video me mbishkrimin: “Sot jemi në Istog. Edhe këtu sikur gjithandej Kosovës mikpritjet janë të ngrohta. Cep më cep vendit entuziazmi gjithnjë në ngritje për numrin 118.”

Në videon që zgjat vetëm nëntë sekonda, Kurti shihet i shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Një qytetar i moshuar i drejtohet kryeministrit: “Vetëm një fjalë. N’vend të Rugovës jeni tash ju.”

Kurti ia kthen: “Me Donikën bashkë.”

Kryediplomatja e përkul kokën në shenjë respekti.

“Edhe për hair na koftë” – shtoi istogasi, pa saktësuar çka.

Kryeministri e falënderon me një përkulje të konsiderueshme: “Falemners shumë” (VV-ja e transkriptoi si “Faleminderit shumë”)