Qytetarët të mllefosur me pritjet e gjata për t’u pajisur me leje për armë

Për t’u pajisur me leje për armë, kandidatët duhet të presin në pafundësi për shkak të procedurave burokratike.

Shumë qytetar të cilët aplikojnë për t’u pajisur me armë, qoftë armë të shkurtër, apo armë gjahu shprehen të mllefosur në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak të procedurave të stërzgjatura burokratike. Pasi të njëjtëve ju duhet të presin deri në gjashtë muaj, ose dhe më shumë për të marrë pëlqimin nga ky organ e pastaj pas përfundimit të këtyre procedurave, ju duhet të presin me vite për të marr kartelen përkatëse.

Ndërsa, kandidatët armët e të cilëve kanë qenë të regjistruara në kohën e UNMIK-ut, e të cilët aplikojnë në procedurën e cila quhet legalizim, duhet të presin dy deri në tri vite për t’u pajisur me kartelën e lejes përkatëse.

Në lidhje me këto shqetësime të qytetarëve Ballkani.info ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Nga përgjigjja zyrtare që Ballkani.info ka pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, është thënë se rastet e vonesave për pajisje me leje për armëmbajtje, ndodhin zakonisht kur lënda ka komplikime.

“Periudha e pritjes për të marrë lejen për armë mund të shkojë deri në 6 muaj, nëse lënda ka komplikime. Ne nuk kemi raste të regjistruara të pritjes deri në 3 vite dhe e vetmja mundësi që të zgjatet afati kaq shumë ka të bëjë me rastet e aplikacioneve të pa plotësuara ose që nuk i plotësojnë kriteret ligjore (aplikanti ka vepra të evidentuara në të kaluarën kriminale) dhe në të njëjtin aplikacion e kemi refuzuar ose kemi kërkuar nga aplikanti dokumente shtesë si p.sh vendime të gjykatës”, është thënë në përgjigjen e MPB-së.

Tutje, nga Ministria e Punëve të Brendshme është theksuar se rastet që ballafaqohen me pritje të gjata ndodhin edhe në rastet kur personat në fjalë kërkojnë vazhdimin e lejes për armët të cilat i kanë poseduar me leje nga UNMIK-u.

“Në këto raste ne zakonisht hasim në armë të cilat në kohën e regjistrimit janë futur në sistem ashtu siç ka deklaruar aplikanti (pushkë gjysmë automatike, dy tytshe etj) si dhe pa plotësimin e kritereve teknike, ndërsa baza e të dhënave që ne posedojmë sot nuk lejon futjen e armëve nëse nuk janë të gjitha të dhënat korrekte në përputhje me katalogun ndërkombëtar të armëve (p.sh. nuk evidentohet modeli, prodhuesi apo ndonjë e dhënë tjetër”, thuhet në përgjigje.

MPB ka cekur edhe rastet e problemeve teknike që kjo ministri ballafaqohet por që ka thënë se rastet janë të rralla. Rastet e regjistruara deri në këtë periudhë, nga MPB është thënë se po mundohen t’i përfundojnë deri në fund të vitit.

Ata kanë theksuar gjithashtu se pasi pritet rritja e numrit të interesuarve për pajisje me leje për armëmbajtje, Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar përkrahje nga UNDP “për shtimin e përkohshëm të stafit si dhe të përditësojë bazën e të dhënave duke bërë që procesi të shkojë më shpejtë dhe tani që disa javë ne kemi një zyrtarë më shumë të përfshirë në këtë proces”.

Për rregullat që aplikantët duhet të ndjekin, MPB ka bërë të ditur për Ballkani.info se pasi që aplikanti ta blejë armën duhet që të njejtën ta lajmërojë në stacionin policor dhe të aplikojë për kartelë.

Tutje, MPB ka theksuar se kompanitë që i shesin këto armë, duhet të bëjnë regjistrimin e shitjes në sistemin online, e në rastet kur këto kompani e bëjnë regjistrimin me vonesë, procedura bëhet më e komplikuar dhe ndodhin vonesat e pajisjes me kartelë.

Ballkani.info ka kontaktuar njërin nga aplikantët, i cili ka shprehur shqetësim në lidhje me pritjet e gjata që po i bën Ministria e Punëve të Brendshme.

“Ka rreth një vit që jam pajisur me çertifikatë, ndërsa lejen (kartelën) për armë ende nuk e kam marrë, shkaku i neglizhencës së MPB-së. Sikur të kishte ndonjë problem ata është dashur të më kontaktonin, përkundrazi unë kam bërë përpjekje të marrë përgjigje për vonesën, por ka qenë e pamundur”, ka thënë ai./Ballkani.info/