“Qytetarët s’votuan për t’ia siguruar karrigen e presidentit Mustafës”

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdojnë të mos i vendosin pikën çështjes së koalicioni qeverisës.

Pavarësisht takimeve të njëpasnjëshme të anëtarëve të kësaj partie, së fundi edhe të liderëve një marrëveshje për qeverisje të përbashkët nuk po arrihet.

Një takim mes liderit të Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa u zhvillua sonte në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Dyshja nuk u deklaruan as para fillimit të takimit, por as kur përfundoi.

Lidhur me gjithë këtë zvarritje të procesit të arritjes së koalicionit, Indeksonline ka kontaktuar analistin, Imer Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt zvarritja në arritjen e marrëveshjes për koalicion nuk po ndodh për çështje parimore, por thjesht për përfitime pushteti.

“LDK ka ndërruar qasjen që ka pasur sa i përket pozitës së presidentit dhe kjo e ka bllokuar situatën. LDK jo rastësisht po e kërkon pozitën e presidentit dhe Ministrisë e Brendshme. Presidenti ka kompetenca të rëndësishme kushtuese në zgjedhjen dhe emërimet në institucione të rëndësishme, ndërkaq përpjekja për ta futur nën kontroll Ministrinë e Brendshme mund të konsiderohet përpjekje për të mos nisur ndryshimet e proklamuara nga Vetëvendosje, përpjekje për të fshehur diçka”, tha ai.

Mushkolaj vlerëson se LDK ka qenë thuajse vazhdimisht në pushtet dhe i frikësohet qasjes së Vetëvendosjes, në kuptimin e veprimeve që mund t’i marrë për pastrimin e sistemit.

“LDK e ka hisen e vet në kapjen e shtetit pothuajse sa PDK dhe përgjegjësia e saj nuk mund të amnistohet. Vetëvendosje nuk duhet të lëshojë pe në kushtëzimet e LDK-së, një parti që vazhdimisht shfaqet e viktimizuar, pavarësisht llogarive që duhet t’i jap për qeverisjen në të kaluarën”, shtoi Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj vlerësoi se për çështjen e presidentit, palët mund të merren vesh që të diskutohet më vonë dhe se nuk ka asnjë arsye që të bllokohet arritja e marrëveshjes për koalicion.

“Qytetarët nuk kanë votuar për t’ia siguruar karrigen e presidentit Isa Mustafës, ose dikujt tjetër nga partitë, por votuan për Kuvendin e ri që zgjedh qeverinë. Andaj kushtëzimet nga LDK nuk janë absolutisht pazare në kurriz të vullnetit të qytetarëve. LDK nuk duhet ta pranojë se i ka humbur zgjedhjet. Nuk janë dy fitues, por një-Vetëvendosja”, përfundoi ai.

Pavarësisht arritjes apo jo të këtij koalicioni, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi thirri sot që seanca e parë e Parlamentit të Ri të Kosovës të mbahet më 24 nëntor.

Mbledhja e parë e Legjislaturës së Shtatë të Parlamentit  të Kosovës do të zhvillohet tri ditë para përfundimit të afatit një mujor pasi Komisioni Qendror Zgjedhor certifikoi rezultatin e zgjedhjeve.

Vendi vazhdon të qeveriset nga Ramush Haradinaj, si kryeministër në largim pas dorëheqjes që ai bëri pas ftesës së dërguar nga Gjykata Speciale si dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më gjashtë tetor.