Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka thënë se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë aq i lirë, saqë sipas tij, një numër i madh i qytetarëve nuk e kanë ditur as sa paguajnë për rrymën.
Por, Kurti në të kaluarën edhe kishte protestuar për faturat e larta të qytetarëve për energjinë elektrike, shkruan Demokracia.com.
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur sa e kanë faturën, nuk ka pasur. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, tha ai.
Kurti, i cili që kur është bërë kryeministër e kishte ndërruar edhe vendbanimin, ku nga një banesë prej 60 metra katrorë ishte shpërngulur në një shtëpi në lagjen “Taslixhe” në Prishtinë. E ndonëse kjo shtëpi është mjaft e madhe e nuk dihet sa paguan kryeministri për rrymën që shpenzon, ajo që dihet është se për qiranë e saj paguan një çmim nën mesatare me vetëm 250 euro në muaj, ashtu siç ka deklaruar vetë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Ndërsa, për dallim prej qytetarëve, Kurti i merr edhe nga 1 305 euro në muaj si kryeministër dhe sipas deklarimit të tij të pasurisë edhe 1 400 euro pagë mujore nga Lëvizja Vetëvendosje.







