Qytetarët nga Kosova drejt bregdetit shqiptar, kolona të gjata në Morinë – Kukës

Radhë të gjata janë krijuar në segmentin Morinë – Kukës ditën e sotme.

Mësohet se arsye për fluksin janë qytetarët e Kosovës, pasi vendi që nga 20 gushti ka nisur aplikimin e masave të reja për parandalimin e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.

Shkak tjetër për fluksin është edhe 10-ditëshi i fundit i sezonit turistik.

Po ashtu, arsye është kthimi nga vendlindja pas pushimeve të mërgimtarëve nga Kosova, në vendet e BE ku jetojnë e punojnë si dhe rruga e ngushtë te kthesa e Urës së Drinit të Zi, pranë kantierit ku po punohet për ndërtimin e urës së re të Rrugës së Kombit.

Ndërkohë, policia rrugore e Kukësit është duke orientuar drejtuesit e mjeteve. Fluksi i automjeteve është shumë i madh pasi vargu i lëvizjes së mjeteve të vogla dhe autobusëve nuk ka të ndalur.