Qytetarët në hall për t’u pajisur me dokumente, MPB anulon dy tenderë për furnizimin me materiale

Pajisja e qytetarëve të Kosovës me dokumente të udhëtimit e patentë shoferë është bërë problematike dhe thuajse e pamundur. Derisa qytetarët po ankohen se mungesa sidomos e pasaportave po u shkakton probleme të mëdha.

Derisa Kosova më parë vlerësohej se i kishte shërbimet thuajse më të mira në rajon, sot nuk ka mundësi t’i furnizoi qytetarët me dokumente për muaj të tërë.

Nga MPB-ja njëherë arsyetoheshin se në këtë çështje ka ndikuar pandemia, tash po arsyetohen se po ndikon agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, por kjo mohohet pasi që kompania gjermane furnizohet nga shtypshkronja në Greqi.

Gazeta Sinjali mëson se Ministria e Punëve të Brendshme e cila drejtohej më 2021 nga Agim Veliu kishte shpallur tender me 16 mars për furnizim me dokumente blanko, sistem VIZA, ABIS, regjistrim, personalizim dhe lëshim të dokumenteve personale të identifikimit.

Por tenderi 21 milionë euro, ishte anuluar me ardhjen e Qeverisë së re, konkretisht ministrit Xhelal Sveçla me 17.05.2021 për shkak të mos përgatitjes në nivelin e duhur të specifikave teknike dhe gabimeve në përcaktimin e formës-dizajnit të dokumenteve personale.

Pastaj në prill të këtij viti MPB-ja kishte shpallur tender në vlerë 12 milionë e 300 mijë euro për furnizim me dokumente personale dhe mirëmbajtje të sistemeve elektronike.

Por në maj ishte anuluar sipas MPB-së për shkak të mos përgatitjes në nivelin e duhur të specifikave teknike dhe gabimeve në përcaktimin e formës-dizajnit të dokumenteve personale.

Burimet tona tregojnë se përsëri MPB-ja është duke negociuar për tenderin për furnizimin me dokumente e që mund të arrijnë marrëveshje me kompaninë gjermane e cila e furnizon MPB-në nga shtypshkronja në Athinë me dokumente dhe e cila mirëmban sistemin.

Nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme ditë më parë kanë treguar për Gazetën Sinjali, se për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19,  furnizimet me material janë vështirësuar.

“Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19”, thonë nga MPB-ja. 

Nga Zyra për Media kanë theksuar se MPB-ja është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente.

Derisa në njoftimin më të ri të MPB-së, thuhet se referuar situatës së krijuar me vonesat e pajisjeve me dokumente personale, kryesisht mungesën e pasaportave, Agjencioni për Regjistrimin Civil në kuadër të MPB-së është duke i menaxhuar me kujdes të shtuar sasitë në dispozicion.

Sipas MPB-së kjo po bëhet përmes analizimit të rasteve të arsyetuara dhe dëshmuara me dokumentacion mbështetës duke i trajtuar si prioritet të lartë kategoritë shëndetësore, studentët, mërgatën dhe përfaqësimin shtetëror.

“Momentalisht po përballemi me mungesë të lëndës së parë të prodhimit të dokumenteve si shkak i invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, porse me këtë problem nuk po përballet vetëm Republika e Kosovës por të gjitha shtetet që janë furnizuar në linjën dhe vendin e njëjtë me lëndën bazë të prodhimit të dokumentit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Më tej në njoftim thuhet se sigurojnë të gjithë qytetarët e Kosovës se po bëjnë përpjekje maksimale që të sigurojnë materialin e nevojshëm duke mundësuar kështu prodhimin dhe furnizimin me dokumente personale brenda afateve dhe pa vonesa andaj kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve rreth situatës së krijuar.

“MPB-ja do të njoftoj opinionin publik sapo të furnizohemi me sasinë e mjaftueshme të materialit bazë për personalizim të dokumenteve”, thuhet në njoftim.

Ndërsa ministri Xhelal Sveçla, në seancën e Kuvendit kur është pyetur nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu Shoshi, lidhur me mungesën për furnizim të materialeve të dokumenteve, ai është arsyetuar se mungesa e letrës për dokumente vjen si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Situata e krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë dhe sanksionet që pasuan pastaj kanë ekspozuar dobësinë për krijimin industrial duke afektuar rëndë tregjet globale. Kjo situatë e krijuar si forcë madhore ka atakuar edhe prodhuesit e materialit për dokumente personale, problemi për mungesë të materialit është paraqitur në fillim të muajit gusht të këtij viti dhe nuk është e vërtetë që gjatë gjithë vitit kemi pasur problem”, tha Sveçla.

Më tej ministri theksoi se MPB është në pritje të furnizimit për material të dokumenteve.

 “Fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patentë shofer dhe letërnjoftime dhe pas dy muajve me pasaporta gjithsej 73 mijë copë”, tha ministri.

 “Sa për tenderomani mendoj që subjekti juaj më së miri mundet me na shpjegu këtë, sa i takon tenderomanisë ju jeni ekspertët. Unë po ju them qartazi brenda kontratës ekzistuese ne kemi bërë porositë e nevojshme” i është kundërpërgjigjur deputetes së PDK-së Shoshi, ministri Sveçla.