Qytetarët në Ferizaj dalin nëpër ballkone për ta parë Dardan Krivaqën teksa dërgohet në gjykatë

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen makabre të 18-vjeçares M.O. në Ferizaj është dërguar sot për herë të parë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku është mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Për t’i ndjekur zhvillimet rreth kësaj ngjarjeje dhe për ta parë Dardan Krivaqën të dalë para gjykatës ka pasur interesim të madh nga qytetarët. Nga një ndërtesë përballë Gjykatës Themelore në Ferizaj, disa qytetarë kanë dalë në ballkonet e tyre për ta ndjekur momentin kur Krivaqa u soll në gjykatë dhe më pas kur ai u largua nga gjykata i shoqëruar nga forca të armatosura të Policisë.

Dardan Krivaqa u arrestua dje në fshatin Dardani të Ferizajt dhe u dërgua i prangosur në stacionin policor të këtij qyteti, pak pasi para tij u mbajt një protestë.

18-vjeçarja M.O. të dielën u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e Ferizajt. Atje e çuan Dardan Krivaqa, me të cilin ishte e martuar, dhe Arbër Sejdiu, i cili u arrestua po atë ditë. Ndaj tij, Gjykata caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.