Liberalizimi i vizave

​Qytetarët mirëpresin lëvizjen pa viza: E kemi merituar

Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga sot (e hënë) do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Schengen pa viza për qëndrime afatshkurtra.

Qytetarët e mirëpritën liberalizimin vizave, të cilët shprehën se lëvizja e lirë në vendet e BE-së është një arritur e madhe pas një keqtrajtimi të gjatë. Ata ndjehen të lumtur që nuk do të ketë më kufizime e pritje të gjata para ambasadave.

Mëngjesin e sotëm, Qeveria e Kosovës ka organizuar udhëtimin e parë pa viza për 50-të fituesit që fituan udhëtimin për në Vjenë të Austrisë.

Qytetari Avdyl Spahiu tha se kjo liri është e merituar më herët, pasi që sipas tij ka pasur sfida të ndryshme, e gjithmonë të kushtëzuara.

“Kemi marrë lajmin që e kemi fituar drejtën e udhëtimit, edhe një shoqërues ka pasur të drejt me ardhur…E kemi merituar më herët, ka qenë e vështirë, kemi pasur sfida të ndryshme. Gjithmonë kemi qenë të kushtëzuar,” tha ai.

Qytetari tjetër, Adhurim Bajrami tha se tashmë është shumë më lehtë pa viza, sepse sipas tij, nuk do të ketë shpenzime dhe nuk do të ketë humbje kohe.

“Bashkëshortja ka marrë pjesë në kuizin që ka qenë, e kemi përcjellë tërheqjen e shortit…Pa viza tash shumë ma lehtë, ma mirë, procedura ma pak, shpenzime dhe kohë nuk humbë,” u shpreh ai

Ndërsa, Jeton Kosumi tha për KosovaPress se qytetarët janë keqtrajtuar para ambasadave që 24 vjet.

“Lehtësim i madh, na kanë (keqtrajtuar) maltretuar që 24 vjet në ato zyra që kurrë njerëzit nuk kanë me i harruar. Nuk ka ndodhur kështu as në Afrikë e as askund, si na kanë malltretuar nëpër zyrat zvicërane dhe gjermane, askush tjetër kaq shumë nuk ka hequr,” tha Kosumi.

Xheladin Halimi tha se liberalizimi i vizave ka qenë një proces i stërzgjatur. Ai tha se aplikimi për viza ka qenë e vështirë dhe e kushtueshme për qytetarët.

“Qytetarët mund të lëvizin drejt familjarëve të tyre, për të shikuar se si jetojnë sepse nuk është njëjtë si flitet këtu e atje, kështu që mundemi ta vërtetojmë vet dhe bëhet një lloj bashkëpunimi më i mirë pa pengesa.. Shumë vështirë ka qenë, një rrugë shumë e gjatë, ne kemi mendua që pas lufte për një kohë shumë të shkurtër por është zgjatur shumë,” vijoi ai.

Po ashtu, Loreta Vitija u shpreh e lumtur si një qytetare e Kosovës që nuk është më e kufizuar. Ajo tha se tani rinia e ka mundësinë ta ketë këtë liri të lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian.

“Po ndihem shumë mirë, jam shumë e lumtur që nuk jemi më të kufizuar dhe mundemi me shëtit në Evropë, dhe jam e lumtur që sot po më mundësohet për me udhëtua në Austri pa viza…kisha dashtë me pas më herët këtë liri, por pa marrë parasysh jam tash e lumtur që e kemi sidomos ne rinia… kuizi nuk ka qenë shumë i vështirë, pyetjet bazike për Kosovën dhe BE-në,” theksoi ajo.

Në kuizin e organizuar nga Qeveria e Kosovës, kishte pyetje rreth Kosovës dhe BE-së, ku 50 qytetarë kanë fituar një udhëtim falas për në Vjenë të Austrisë.

VIDEO BONUS: Aeroporti i Prishtines sot me 01.01.2024