Qytetarët me miliarda euro kredi nëpër banka, Qeveria ua ndali edhe pagat

Qytetarët e Kosovës çdo ditë e më shumë po marrin kredi në banka për shkak të krizës financiare dhe rritjes së çmimeve. Nga janari e deri në korrik të këtij viti, kosovarët kanë marrë kredi të reja mbi 1 miliard euro. Pagesën e kësteve të këtyre kredive nuk kanë mundur ta bëjnë shumica e qytetarëve, pasi shteti ua ka ndalë rrogat.

Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit, nga 25 gushti janë në grevë mësimdhënësit, edukatoret e kopshteve publike dhe shërbyesit civilë në institucionet lokale e qendrore.

Ata po kërkojnë nga 100 në muaj deri në miratimin e Projektligjit për Paga.

Por, shteti në krye me Albin Kurtin, ka vendosur që t’i ndëshkojë grevistët me ndalje të rrogave, duke ua bërë edhe më të rëndë jetesën.

Ekzekutivi i vendit më 31 gusht ka bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj, shkruan Demokracia.com.

Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar vetëm për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive. Mirëpo, ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike që janë në grevë.

Për shkak të mos marrjes së pagave, shumicës së tyre u kanë mbetur pa paguar edhe kreditë që i kanë nëpër banka, vlera e të cilave veçse është rritur këtë vit.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar për Demokracia.com se nga janari e deri në korrik të këtij viti, qytetarët kanë marrë kredi të reja mbi 1 miliard euro.

“Një miliard e 43 milionë e 600 mijë euro janë kredi të reja nga janari deri në korrik 2022”, kanë treguar nga BQK për Demokracia.com.

Sipas BQK-së, marrja e kredive nga qytetarët e Kosovës ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar.

“Nga janari deri në korrik 2021 janë dhënë mbi 973 milionë euro. Dallimi mes 2021 dhe 2022 është se këtë vit janë marrë nga kosovarët 69.9 milionë euro kredi më shumë” .

Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se qytetarët e Kosovës më së shumti kredi marrin për të siguruar ushqimin.

“Qytetarët marrin më së shumti kredi konsumuese, shërbyese, hipotekare, industriale dhe bujqësore”.

Edhe një anketë e institutit “GAP” e bërë kohë më parë ka treguar se gjysma e të anketuarve kanë marrë kredi konsumuese, 17% kredi për blerjen e shtëpisë, 6% kredi për blerjen e automobilit e kështu me radhë.

Sipas BQK-së, vlera e kredive totale për vitin e kaluar ishte afro 4 miliardë euro.

“… deri në fund të vitit 2021, vlera e kredive te reja te dhëna ishte 3 miliardë e 120 milionë e 800 mijë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”, përkundër që puna e tyre do të duhej të fillonte dje.

“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë, sipas meritës. Nuk duhet të paguhen për mospunën. Kjo është jo vetëm një çështje e ligjit, jo e Qeverisë, por është një çështje e arsyes së shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punëtorë, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, tha Kurti.

Reagimi i Kurtit ka ardhur një ditë pas njoftimit të bërë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, që tha se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht. Kjo për arsye se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

“Fillimisht më duhet të ju njoftoj se sa i përket ekzekutimit të pagave sot është bërë dhe llogaritja e listës së pagave, merr kohë dhe zakonisht ky proces fillon në mes të muajit. Greva e deklaruar nga SBASHK dhe BSPK ka krijuar nevojën që të ri-procesohen edhe përllogaritjet për ato organizata buxhetore. Pra, që ndikohen nga greva e shpallur, sipas nenit 18 paragrafi 1, detyrimi i punëdhënësit për të paguar punëtorin gjatë kohës sa është në grevë pezullohet. Ne edhe kemi bërë kërkesë nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e tyre, pra të bëjnë përditësimet e nevojshme. Meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk është bërë me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme. Bëhet fjalë që për shkak të vonesave nuk ka arritur të procesohet lista e pagave”, ka thënë Murati.

Murati ka akuzuar Sindikatën e Arsimit se ka nisur grevën në gusht, përderisa mësimdhënësit janë në pushim. Sipas tij, mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të sektorit publik që grevuan do t’i kenë nga 90 euro më pak për shkak të grevës gjashtëditore.

Për ekzekutimin e pjesshëm të pagave, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës bëri të ditur më 1 shtator se kanë ngritur kallëzim penal. Sindikalistët insistojnë se do të jenë në grevë deri në plotësimin e kërkesave nga Qeveria.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Agjencia e Statistikave në raportin e fundit ka treguar se inflacioni ka shkuar në 14.2 për qind, derisa janë evidentuar edhe produktet që kanë shënuar rritje alarmante, derisa sipas Bankës Botërore inflacioni vetëm për produktet ushqimore në Kosovë ka shkuar në mbi 19 për qind.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Në sektorin privat, paga mesatare është rreth 380 euro, ndërsa në sektorin publik rreth 620 euro.

Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm në Kosovë kanë kërkuar disa herë rritje pagash. Qeveria e Kosovës në muajin prill ka miratuar Projektligjin për Rritjen e Pagës Minimale nga 130-170 euro, sa është aktualisht, në 250 euro neto. /Demokracia.com/