Qytetarët lexojnë pak, por librat zhduken

Parku i Qytetit në Prishtinë është vend shumë i frekuentuar nga qytetarë të moshave të ndryshme. Si i tillë, ai mbetet njëri ndër parqet më të vizituara në kryeqytetit. Meqë në këtë vend, shumë persona shkojnë edhe për të lexuar, shpesh herë ka pasur iniciativa që të dhurohen libra, por që kanë dështuar.

Është vendosur nga disa qytetarë, për të shërbyer si një vend ku lexuesit mund të këmbejnë libra. Shtëpiza e librave e varur në një lis të Parkut të Qytetit, në Prishtinë, ka mbetur e boshatisur. Kjo pasi dikush i ka marrë ato libra dhe nuk i ka kthyer më.

Qytetarët që i kanë vendosur librat e kanë bërë këtë në mënyrë vullnetare, si një shenjë kujdesi për ata që lexojnë.

Në këtë shtëpizë, ishte e paraparë që lexuesit ta merrnin një libër për ta lexuar, pastaj ta kthenin ose ta zëvendësonin me një tjetër, por kjo nuk ka ndodhur.

Iniciativa të tilla nga qytetarët ka pasur shpesh herë në kryeqytet, por edhe në qytetet tjera të Kosovës, mirëpo nuk kanë qenë të suksesshme.

Derisa numri i lexuesve në vendin tonë ka rënë dukshëm, shqetësuese është edhe kjo dukuri e marrjes së librave në vendet ku qytetarët i japin falas për të ua mundësuar të tjerëve të lexojnë edhe pa shpenzuar para./GazetaExpress/