Qytetarët kërkojnë ndryshim rrënjësor pas zgjedhjeve

Punësim, zhvillim ekonomik e mirëqenie më të mirë po kërkojnë qytetarët pas zgjedhjeve që do të mbahen. Kosova sipas tyre ka nevojë për ndryshim rrënjësor, e jo premtime për liberalizim të vizave. Ata tregojnë edhe nëse do të dalin të votojnë në zgjedhjet që janë në horizont.

Nazmi Haziraj nga Prishtina thotë se shteti ka nevojë të rregullohet, prandaj apelon qytetarët që të votojnë për njeriun, siç e quan ai, më të mirë.

Haziraj: Kërkoj nga populli që të zgjedhin njeriun më të mirë

“Me ndryshua, me rregullua shtetin si duhet, me punua qysh duhet e jo me këso dallaveresh, e jo me kësi pis’hane që po bëjnë. Kërkoj dhe apeloj të gjithë popullin që ta zgjedhin njeriun më të mirë”, thotë ai.

E dikush tjetër po mendon se nevojitet ndryshim rrënjësor, duke filluar prej shoqërisë kosovare.

Qytetari: Kosovës i nevojitet një ndryshim shumë i madh

“Patjetër që do të dalim në zgjedhje, është obligim qytetar që të dalim në zgjedhje. Pritjet tona janë një ndryshim pozitiv, është shumë e qartë. I nevojitet Kosovës një ndryshim shumë i madh[…]Duhet të ndërrojë krejt shoqëria kosovare”, thotë ai.

Faton Dvorani jeton në Zvicër, por thotë se do të bëjë përpjekje që të votojë nga aty ku jeton.

Dvorani: Duhet të ketë ndryshime shumë

“Unë mendoj se me ndryshua duhet shumë, shpresoj se do të vjen dikush që të merret pak me jetën e qytetarit. Jo për shembull me këqyr me u pasurua vet, por me i këqyr pak brengat e qytetarëve, se çfarë i mungon. Duke filluar prej seneve elementare, punësim, zhvillim jo liberalizim, andej e këndej e në fund asgjë”, thekson ai.

Valon Selimi pret shumë nga zgjedhjet e reja, meqë sipas tij tash e 22 vjet nuk ka ndryshuar asgjë.

Selimi: Kisha dëshiruar që të punësohen më shumë njerëzit

“Me dal duhet, presim shpresoj më mirë diçka. Se tybe që 22 vjet po bëhet send në dritë nuk kena qitë. Ndoshta inshAllah me qito zgjedhjet e ardhshme presim diçka më mirë… Kisha dasht me punësua më shumë njerëz, ju kisha bë thirrje mos me dal jashtë rinia. Mos me lënë vendin e vet, me ndejt këtu me qel vende të punës. Edhe besoj që bëhet më mirë”, thotë ai.

Agim Fushtica nga Prishtina bën thirrje që të gjithë të dalin të votojnë në zgjedhjet kurdo që do të mbahen.

Fushtica: Unë do të dal të votojë

“Kom dëshirë me ndryshu shumë, por krejt po varet prej situatës politike. Unë do të dal, edhe duhet me dal për një ndryshim të mirë pozitiv. Po kush mundet të bëjë atë ndryshim pozitiv, inshAllah mbledhin mend se nuk janë kurrkund hiç. Së pari e kanë interesin e tyre personal, pastaj popullit. A me dal në zgjedhje, duhet me dalë. Krejt duhet me dalë”, thekson ai.

Në muajin e fundit të këtij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo-kushtetuese, për shkak të votës së ish-deputetit Etem Arifi i cili ka probleme me drejtësinë. Kështu, Kushtetuesja rekomandoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.