Qytetarët i dënojnë, por ministri Abrashi pa maskë e në lokalin plot njerëz duke kënduar e vallëzuar

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, të mërkurën, ka qëndruar në Rugovë të Pejës.

Aty ka përuruar asfaltimin e një rruge bashkë me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri. E pas punëve që kishin, duket se i kanë lënë vend argëtimit me këngë patriotike në një lokal në Rugovë.

Arban Abrashit duket se nuk po i bëhet vonë për masat që ka vënë Qeveria (pjesë e të cilës është edhe vetë), për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pas përurimit të asfaltimit të një rruge në bjeshkët e Rugovës, ai bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë drekuar në një lokal në të cilin nuk respektoheshin masat anti-COVID.

Në një video të siguruar nga Express, mes këngësh patriotike me çifteli, Abrashi e Muhaxheri shihen duke drekuar në vendin ku distanca fizike nuk respektohet.

Po ashtu, aty nuk është respektuar as vendimi që në një tavolinë të jenë vetëm pesë persona, pasi në video shihet se shumica e tavolinave tejkalojnë këtë numër.

Edhe vetë Abrashi ka postuar foto e video në rrjetet sociale, ku shihen rugovasit me veshjet e tyre tradicionale duke kërcyer.

Madje në fotografitë e postuara nga ministri, shihet se përveç distancës, nuk po respektohet as vendosja e maskës, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Ndërkohë, i pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, të enjten njoftoi se bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, kanë përuruar asfaltimin e disa rrugëve në bjeshkët e Rugovës.

“Mbështetja e turizmit përmes krijimit të infrastrukturës që po bëhet në Pejë, do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik. Sot, së bashku me Ministrin për Infrastrukturë, z. Arban Abrashi, përuruam asfaltimin e disa rrugëve në Bjeshkët e Rugovës”, ka shkruar Muhaxheri.