Qytetarët e Pejës të izoluar në karantinë e kryetari Gazmend Muhaxheri në muzikë live më raki e meze VIDEO

Të premten pasdite, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 18 komuna të vendit kanë hyrë në zonën e kuqe apo rajone që konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit me COVID-19.

Në mes të këtyre komunave, që dy javë, vazhdon të jetë edhe ajo e Pejës.

Por, një ditë pasi MSh-ja alarmoi për kujdes të shtuar e shtim të masave, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u pa në mesin e një grupi njerëzish, pas orës 19:00, kohë kur ora policore përfshin qytetin që ai drejton.

Nën tingujt e muzikës live, alkoolit e shoqërisë, i pari i Pejës nuk respektoi masat që i vendosi bashkëpartiaku i tij nga LDK, Armend Zemaj, shkruan Telegramisot.