2020

Qytetarët e dëshpëruar për mos liberalizimin e vizave, kërkojnë që dikush të jap dorëheqje

Viti 2020 është dhënë si datë kur mund të ndodh liberalizimi i vizave për kosovarët.

Këtë lajm jo të mirë për qytetarët e Kosovës e dha vet komisionari për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit i BE-së Johannes Hahn, që javën e kaluar ishte për një vizitë në Kosovë.

Ata që janë dëshpëruar më së shumti nga kjo deklaratë janë qytetarët, të cilëve u ishte premtuar që brenda këtij viti vizat do të hiqen. Tashmë pas kësaj deklarate, qytetarët po kërkojnë që dikush të marrë përgjegjësinë dhe të jap dorëheqje për këtë dështim.

Mentor Rama, thotë se për të  gjithë premtimet që u janë bërë brenda këtij viti, duke filluar nga ministrja e Integrimeve Evropiane e deri të gjithë të tjerët që kanë pasur punë me viza do të duhej të jepnin dorëheqje.

Të njëjtin mendim e ka edhe Kadri Sojeva, i cili thotë se largimi nga postet që mbajnë është minimumi i përgjegjësisë që do të duhej të bënin udhëheqësit e institucioneve.

Edhe Idriz Halaj, thotë se është i dëshpëruar se vizat nuk janë hequr. Madje, ai thotë se është lodhur nga premtimet që tashmë e disa vite bëhen nga politikanët për këtë çështje.

Se qytetarët e Kosovës e kanë merituar liberalizimin e vizave e thotë edhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti.

Sipas tij  institucionet e Kosovës kanë treguar pakujdesi për ta përcjellë nga afër gjithë procesin e liberalizimit të vizave.

E për këtë Hoti thotë se minimumi i përgjegjësisë do të ishte dorëheqja e akterëve të institucioneve që janë të përfshirë në çështjen e liberalizimit të vizave.

Duke mos dashur të përmend emra, Hoti thotë se është koha e fundit që në institucionet e Kosovës të instalohet përgjegjësia.

Çështja e liberalizimit të vizave  për Kosovën tashmë  ndodhet te Këshilli i Ministrave të BE-së dhe për këtë në vizitën e tij në Kosovë, komisionari për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit i BE-së, Johannes Hahn, ka deklaruar se liberalizimi mund të ndodhë në vitin 2020.

Pothuajshe të gjithë udhëeheqësit e institucioneve të Kosovës gjatë tërëvitit kanë deklaruar publikisht se në fund të vitit qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë./KosovaPress/