Qytetarët e dëmtojnë përsëri pemën në shesh

Inovacioni “Te Pema“ i vendosur në sheshin e kryeqytetit në korrik të këtij viti, është dëmtuar nga qytetarët. E kjo nuk është hera e parë që dëmtohet kjo pemë, e cila zëvendëson mbjelljen e 70 drunjve. Kësaj radhe, vlera e dëmit shkon rreth 120 eurosh.

Ka vetëm tre muaj që është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, mirëpo projekti “Te Pema” po dëmtohet kohë pas kohe nga qytetarët.

Udhëheqësit e faqes “Te pema” në Facebook, kanë reaguar dhe kanë shpërndarë disa fotografi në të cilat shihet se qytetarët kanë filluar ta dëmtojnë këtë projekt.

“Te Pema” në sheshin “Zahir Pajaziti”, kohë pas kohe pëson dëmtime nga qytetarët e pandërgjegjshëm të cilëve ne, qytetarët e tjerë, ekipi i jonë dhe komuna e Prishtinës ju përgjigjemi duke e rregulluar në vazhdimësi. Çka sot dallon prej ditëve tjera është dëmtimi më i madh që ka pësuar “Te Pema”, numër i konsiderueshëm i bimëve mungon dhe është dëmtuar sistemi i ujitjes, vlera e përafërt e dëmit është 120 euro”, thuhet në reagim.

Ata thonë se do të rregullohen dëmet, por gjithashtu do të vendosen edhe 10 pemë të tilla në Prishtinë.

Ky projekt i cili është ideuar dhe realizuar nga studentët e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës ka për qëllim ndikimin në cilësinë e ajrit.

Një dëmtim i tillë nga ana e qytetarëve, kësaj peme i është bërë edhe kur kishte vetëm tri javë prej kur ishte vendosur./GazetaExpress