Qytetarët ankohen pas ngritjes së çmimit të naftës dhe benzinës

Qytetarët e Kosovës do të paguajnë më shtrenjtë për derivatet e naftës dhe benzinës, ngase çmimet e tyre janë shtrenjtuar javëve të fundit për rreth 10 cent. Ngritja e çmimeve ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, pasi që siç thonë edhe ashtu çmimi ka qenë i shtrenjtë. Në Odën Ekonomike të Kosovës deklarojnë se nëse vazhdojnë të ngrihen çmimet do të ketë ankesa edhe prej bizneseve në vend. Ndërsa në Organizatën për Mbrojtjen e Konsumatorit thonë se kjo ngritje i dëmton qytetarët, bizneset dhe shtetin, shkruan Gazeta Express.

Çmimet e naftës dhe benzinës në Kosovë janë rritur së fundi për rreth 10 centë.

Aktualisht çmimi i derivateve në Kosovë sillet prej 1.19 euro për naftë, ndërsa për benzinë deri 1.22.

E kjo ngritje e çmimeve ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët e vendit.

Qytetari Naser Dervisholli thotë se çmimet e derivateve janë të shtrenjta dhe nuk janë të arsyeshme krahasuar edhe me vendet e rajonit. Ai kërkon që të zbriten çmimet, sepse janë të papërballueshme për qytetarët.

“Të shtrenjta janë (çmimet e derivateve). Nafta është e mirë, sepse këtu e marrim rregullisht”, ka deklaruar Dervisholli.

Rritja e çmimeve po del të ketë ndikuar negativisht edhe për bizneset në vend.
Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se deri tani nuk kanë pasur ankesa nga bizneset, por deklarojnë se nëse vazhdon ngritja e çmimeve do të ketë ankesa.
Drejtori i OEK-Ut, Berat Rukiqi, i ka thënë Gazetës Express se rritja e çmimeve të derivateve varet nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Rukiqi deklaron se ngritja e çmimeve ndikon edhe në bizneset në vend, ani pse thotë se deri tani nuk kanë pasur ndonjë ankesë.

“Rritja e çmimit të derivateve varet nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, e këto lëvizje varen nga situate gjeopolitike. Problemet politike që kanë atje, ndikojnë edhe në rritjen e çmimit edhe në tregun tonë dhe ndikon në fuqinë e berzës së përgjithshme”, tha Rukiqi.

Por, thotë se nëse vazhdojnë që këto çmime të shtrenjtohen edhe më shumë do të ketë ankesa nga bizneset. Derisa thotë se ata vazhdimisht kanë kërkuar që çmimi i derivateve të jetë i përballueshëm për qytetarët.

“Jo nuk kemi pas ende ndonjë ankesë prej bizneseve, pasi që ende nuk ka ndonjë rritje të madhe sa të reagojnë bizneset, pasi që nafta nuk është faktori i vetëm që ndikon në biznese. Mirëpo, nëse vazhdon të rritet çmimi sigurisht që do të ketë ankesa prej bizneseve. Gjithmonë kemi kërkuar që çmimi i derivateve të jetë i përballueshëm për bizneset”, tha Rukiqi për Express.
E ngritja e çmimeve të derivateve po kundërshtohet ashpër nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit. Selatin Kaçaniku nga kjo organizatë i ka thënë Expressit se me çmimet e derivateve po bëhen lojëra të pandershme.

Kaçaniku thotë se kjo rritje e dëmton ekonominë, dhe destabilizon tregun.

“Me çmimet e derivateve po bëjnë lojëra të pandershme. Rritja e çmimeve të derivateve i dëmton qytetarët, bizneset dhe e dëmton edhe shtetit , ekonominë në përgjithësi dhe e destabilizon tregun dhe ndikon negativisht”, ka thënë Kaçaniku.

Deklaron se për çmimin e derivateve duhet të merren parasysh edhe cilësia dhe standardi i jetesës së qytetarëve.

“Çmimi duhet të jetë në raport të drejtë me cilësinë, berzës dhe aftësinë e pagesës së qytetarit. Shikuar nominalisht çmimi i derivateve në Kosovë është më i ulët me disa shtet te rajonit, mirëpo në krahasim me cilësinë dhe sasinë që e marrim unë mendoj që ne jemi të mashtruar”, deklaroi Kaçaniku për Express.
Ndërkohë përfaqësues të naftëtarëve kanë deklaruar ditë më parë se ngritja e çmimeve të derivateve ka ardhur si shkak i berzës ndërkombëtare.

“Sa i përket rritjes së çmimit, ne pikat e karburanteve në Kosovë jemi tregtarë. Diktohet çmimi nga berza dhe nga organizata prodhuese OPEK. Në Kosovë çmimet sillen 1. 19 – 1.20 euro… Ndërsa qe një javë është i njëjti çmim në tregun kosovar. Por, ne nuk jemi ata që diktojmë çmimin, sepse ne nuk kemi rafineri… Ne në një farë forme jemi tregtarë, ku çmimi na diktohet nga furnizimi, të cilin e bëjmë nga shtetet në regjion, prej Serbisë, prej Shqipërisë, prej Maqedonisë dhe Greqisë”