‘Qytetarët Aktiv’ padisin Komunën e Shpend Ahmetit për ndotje dhe shkatërrim të mjedisit

“Qytetarët Aktiv” kanë dorëzuar kallëzim Penal në Prokurori ndaj Komunës së Prishtinës, për ndotje dhe shkatërrim të mjedisit.

Përmes një postimi në Facebook, “Qytetarët Aktiv”, kanë treguar se kanë dorëzuar kallëzimin penal kundër Komunës së Prishtinës, Kryetarit, drejtorit të Inspektoratit Komunal dhe Ndërmarrjes Ndërtimorë “Standard”.

Ky është postimi i plotë:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=165430575301883&id=111022790742662

Se sa e vështirë është të kërkohet e drejta elementare si ajri në Prishtinë, kemi vendosur të ndajmë historinë e qytetarëve në këtë betejë, e filluar zyrtarisht nga data 05.06.2016 drejtuar Komunës së Prishtinës!

Me datën 26.10.2020 “Qytetarët Aktivë” së bashku me qytetaret Znj. Lule Pashku dhe Znj. Eleonora Dauti kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë në Prishtinë, kundër:

1. Komunës së Prishtinës, (Kryetarit, Drejtorit të Inspektoriatit Komunal)
2. Ndërmarjes Ndërtimore “Standard” SHPK

Objekti: Cenim i Drejtës për Mjedis të Sigurt dhe të Shëndetshëm, i sanksionuar sipas nenit 1, 338, 197, 340, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Baza Ligjore:
Neni 1 Bazat dhe kufijtë e sanksioneve penale
Neni 338 Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit,
Neni 197, pika 5 – Cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve (Kushtetuta e KS neni 36 – E drejta e Privatësisë)
Neni 340, pika 3 dhe 5- Lejimi i kundërligjshëm i ndërtimit apo drejtimit të fabrikave dhe instalimeve që ndotin mjedisin
Neni 348 Shkretërimi i pyjeve
Raporti me Rekomandime i Avokatit të Popullit, A. nr 342/2018.

Historiku:

Me datën 05.06.2016, Banoret e kompleksit banesor Relax në Mati 1, Prishtinë nëpërmjet postës elektornike i janë drejtuar Komunës së Prishtinës respektivisht drejtorive përkatëse dhe kryetarit të komunës së Prishtinës, me ankesën për ndotjen e mjedisit të shkaktuar nga oxhaku kolektiv i objektit banesor të ndërtuar në afërsi NNP “Standardi/Dafina”, Mati 1,Prishtinë.

Kompania në fjalë, gjatë ndërtimit nuk bëri instalimin e bojlerëve nëpër apartamente, andaj për të ngrohur ujin shfrytëzon/ndez kalldajën kolektive ku rrjedhimisht oxhaku emeton tym në mënyrë të pakontrolluar duke ndotur ajrin në tërë zonën përreth, me ç’rast i vështirëson jetët e banorëve. Arsyetimi i organeve komunale respektivisht i drejtorit të Inspektoriatit Komunal ne intervista kinse oxhaku shërben vetëm për ngrohje gjatë dimrit NUK qëndron, është manipulim i institucioneve dhe publikut (deklaratë e rrejshme e drejtorit të Inspektoriatit Komunal).

Sezona e ngrohjes zyrtarisht fillon më 15 tetor dhe përfundon me 15 prill, ndërsa oxhaku tymos pa ndërprerje gjatë gjithë vitit ndërsa me së shumti na rëndon jetët dhe shëndetin gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës, rrjedhimisht detyrohemi ti mbajmë dritaret e mbyllura tërë kohës për shkak të ajrit të kontaminuar i cili mund të vërehet përmes nuhatjes, në teren.

Objekti në fjalë është zgjeruar për disa bloqe më shumë gjatë këtyre dy mandateve të fundit qeverisëse, gjë që dukshëm ka ndikuar në shtimin e aktivitetit të oxhakut dhe kontamimin e zonës përreth. Kompania Standardi për ndezje përdor sasi të shumta qymyri dhe druri por edhe gjësende tjera të cilat kontaminojnë ajrin dhe e bëjnë të pashëndetshëm dhe të padurueshëm (kjo mund të vërehet nga era e rëndë që nuk hiqet edhe në rastet e rralla kur ndalet oxhaku).

Ankesa nuk është përfillur nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht nga organet përgjegjëse të saj. Si rrjedhojë është dashur të vazhdohet me ankesa të tjera drejtuar Komunës së Prishtinës.
Ankesat me, e-mail te datave: 12.09.2017; 13.06.2018; 05.07.2018; 23.07.2018; 17.08.2018; 21.08.2018; 14.04.2020, ankesat përmbanin në vete kërkesën për RRËNIMIN e oxhakut të panevojshëm dhe ndalimin e kontaminit të ajrit për banorët përreth. Meqenëse çdo herë të neglizhuar nga komuna e Prishtinës dhe pa asnjë përgjigje, është dashur ti drejtohemi edhe institucioneve tjera shtetërore.

Me datën 17.05.2018, pas neglizhimit të të gjitha ankesave nga organet kompetente si Komuna e Prishtinës (Kryetari, drejtoritë përkatëse) dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH), i jemi drejtuar me Ankesën nr 286/2018 Avokatit të Popullit lidhur me shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe keqpërdorimin e tyre nga autoritetet publike.

Me datë 25.05.2018, Avokati i Popullit përmes Njoftimit për Pranueshmëri, POHOI shkeljet e lirive themelore të njeriut dhe keqpërdorimin nga autoritetet publike, duke e pranuar ankesën e Kallëzueses në regjistrin e të dhënave me numër “Ankesa nr.342/2018”.
Avokati i Popullit, duke u bazuar në të drejtën e tij në pajtim me Kushtetutën e Kosovës nenin 135, paragrafi 3 “REKOMANDOI Komunën e Prishtinës të ndërmarr veprime konkrete për ofrimin e ajrit të pastër mjedisit të sigurtë dhe të shëndetshëm për Kallëzuesen dhe banorët tjerë, mirëpo Komuna e Prishtinës si përgjegjëse kryesore me komeptenca ekskluzive nuk e përfilli as Raportin Rekomandues të Avokatit të Popullit duke e tejkaluar edhe afatin 30 ditësh të caktuar në raport.

Me datën 17.07.2019 jane drejtuar sërish institucioneve Policisë së Kosovës, Prokurorisë (e-mail nga faqja zyrtare), Kryetari i Komunës, Drejtorit të Inspektoriatit Komunal me ankesën për oxhakun mirëpo pa asnjë përgjigje me shkrim (nga asnjëri institucion), ndërsa në biseda telefonike të gjitha institucionet i referohen kompetencës ekskluzive që ka Komuna e Prishtinës lidhur me këtë çështje.

Me datat 19.12.2019; 09.01.2020, i janeë drejtuar Agjensionit Pyjor të Kosovës me kërkesën për inspektimin e objektit banesor Standardi lidhur me prerjen e vazhdueshme të drunjëve për ndezje, dhe nuk ka pranuar asnjë përgjigje konkrete lidhur me ndonjë hap konkret të ndërmarur nga ky agjension lidhur me ndalimin e degradimit të mjedisit edhe pse kjo paraqet Vepër penale të sanksionuar sipas KP, neni 348 Shkretërimi i pyjeve.

Të nderuar qytetarë, i gjithë procesi i dorëzuar në prokurori do të jetë publik dhe transparent, me shpresë që nuk do të neglizhohemi edhe kësaj rradhe nga e drejta jonë për ajër!

Faleminderit!