Jovan Miletiq, Zharko Mojsiloviq, Vuçina Jankoviq Blazho Jazhiq, Vuk Baloviq, janë disa prej qytetarëve nga veriu i Kosovës që kanë shprehur shqetësimin e tyre që janë përmendur nga Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla si të përfshirë në sulmin në Banjskë, në shtator të këtij viti.
Të gjithë këta kanë dërguar reagime në media, duke mohuar çfarëdo lidhje me ngjarjet në apo rreth Banjskës dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe të familjeve të tyre që emrat e tyre janë përmendur nga zyrtarët më të lartë të Shtetit të Kosovës. Madje, disa prej tyre kanë thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me organet e rendit të Kosovës për të sqaruar se nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë grup të armatosur nga Serbia. Disa të tjerë e kanë interpretuar këtë si presion në tërë komunitetin serb në Kosovë.
Gjatë vikendit, në portalin e lajmeve në gjuhën serbe, KosSev, që konsiderohet si ndër faqet profesionale në raportim, demante kanë dërguar secili nga të lartë-përmendurit.
Jovan Miletiq ka shkruar se “unë, Jovan Miletiq, nga Zveçani, me adresë në Korila, PN, demantoj që kam pasur çfarëdo konflikti me policinë e Kosovës apo përfshirje në Banjskë. Jetoj në Korilë, me nënën, gruan dhe foshnjën tremuajshe. Jam njeri familjar. Punoj në shkollën ekonomike-tregtare, shkoj në punë pa pengesë. Kam kaluar sa here kalimin administrative (kufiri mes Kosovës e Serbisë, vërejtja e redaksisë), dhe asnjëherë nuk ka pasur problem“.
Ai ka shtuar është i gatshëm që të jap deklaratë para organeve kompetente, në çdo kohë.
Zharko Mojsiloviq, shkruan ngjashëm në dematin e tij.
“Dua të theksoj që nuk kam qenë i përfshirë, as nuk kam çfarëdo lidhje me ngjarjet që janë zhvilluar në Banjskë, më 24 shtator këtë vit. Aktualisht jam në shtëpinë time në Mitrovicë dhe me kënaqësi do t’i përgjigjem ftesës së organeve të drejtësisë. Ashpër mohoj çfarëdo përfshirje në ngjarjen e lartpërmendur“.
Mojsiloviq, që punon në një pikë karburanti, ka shtuar se e tërë kjo i ka shkaktuar stres të madh atij si dhe familjes së tij.
Vuçina Jankoviq, që është pjesë e organeve paralele në Zveçan, mohon se është pjesë e strukturave si „Mbrojtja Civile“. Edhe ai, në reagimin e tij të publikuar në KosSev, thotë se „është i gatshëm që t’i përgjigjet ftesës së organeve kompetente“ por shton se „këto gënjeshtra dhe insinuata klasike“ janë „presion mbi mua dhe familjen time“.
Reagime të ngjashme kanë bërë edhe Blazho Laziq nga Zveçani, e Vuk Baloviq nga Leposaviqi, i cili në reagimin e tij ka shtuar se në shtator nuk ka qenë në Kosovë dhe se asnjëherë nuk ka pasur problem me organet e rendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të shtunën, më 23 dhjetor, në një konferencë për mediat në Prishtinë, kanë thënë se Serbia është duke përgatitur sulme të reja kundër Kosovës. Në konferencë kanë prezantuar edhe një kronologji të sulmit në Banjskë si dhe kanë përmendur emra të personave që, sipas tyre, janë të përfshirë në sulmin në Banjskë dhe në përgatitjen e sulmeve të reja.
Në të njëjtën konferencë, Kryeministri Kurti ka akuzuar edhe Prokurorinë e Kosovës se nuk po bën mjaft, „edhe pse ka mjaft informacione“, në të cilën deklaratë ka reaguar Prokuroria e Kosovës.
BONUS VIDEO: Kurti: Radojçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë







