Ish-deputeti i LDK-së dhe kryetari i Degës së kësaj partie në Prizren, Anton Quni, ka folur për nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, koalicionin LDK-Vetëvendosje, vijat e kuqe me PDK-në dhe rreth asaj nëse LDK-ja do të iniciojë ndonjë nismë për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i Presidentit.

Për koalicionin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, Quni është i prerë. Ai thotë se posti i kryeministrit i takon LDK-së si partia më e madhe në vend dhe se për një gjë të tillë kërkon edhe mirëkuptimin e partisë së Kurtit.

Ndërkohë për rrëzimin e Thaçit nga karrigia e Presidentit, Quni thotë se nuk do të lënë gur pa lëvizur për të realizuar një qëllim të tillë.

“Ju e dini që duhet të kemi bazë për inicim të procedurave për shkarkim, sipas Kushtetutës dihet kur dhe pse një president mund të shkarkohet. Ekspertët tanë në vazhdimësi janë angazhuar dhe do të vazhdojnë ta studiojnë mundësinë për të realizuar këtë. Një gjë mund të ju garantoj, nuk do të lëmë gur pa lëvizur!”, ka thënë ai për Express. /Ballkani.info/

loading…