Quni flet pas nominimit të Hotit për Kryeministër dhe qëndrimin e Osmanit në LDK

Ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Anton Quni, ka sqaruar abstenimin e tij në mbledhjen e LDK’së kur është përcaktuar për Avdullah Hotin, kryeministër. Quni në një intervistë për Gazetën Express tha se ka propozuar disa emra tjerë për të cilët ka pasur bindjen se mobilizimi i LDK’së rreth atyre personaliteteve do të ishte më i fuqishëm. Ai po ashtu u shpreh i bindur se Vjosa Osmani do të vazhdojë të jetë pjesë e LDK’së. Quni tha po ashtu se është  gatshëm të jetë përsëri ministër në Ministrinë që aktualisht e drejton nëse këtë ia beson partia.

Anton Quni në garën për deputet të LDK’së në zgjedhjet e 6 tetorit, kishte arritur të jetë i 3-i në listë pas Vjosa Osmanit e Kujtim Shalës, duke grumbulluar 31 mijë e 731 vota.

I pyetur lidhur me pozicionin për emrin e Avdullah Hotit për kryeministër dhe deklaratën e nënkryetarit Lutfi Haziri dhënë në Pressing të T7 ku tha se s’ka besuar se Hoti do të pranonte pozitën e shefit të qeverisë, Ministri Quni tha se përkundër qëndrimit të tij abstenues e ka respektuar qëndrimin e shumicës.

“Jo çdo herë jemi të gjithë të një mendimi, por pas shterjes së argumenteve rreth opsioneve dhe mundësive të tjera, tema artikulohet dhe merr kahje duke e respektuar qëndrimin e shumicës. Në këtë frymë, përkundër qëndrimit tim abstenues, dua ta potencoj përfundimisht se unë e respektoj qëndrimin e strukturave vendimmarrëse për nominimin e profesor Hotit për kryeministër”, ka thënë Quni

Anëtari i kryesisë së LDK’së tha se është e vërtetë që në mbledhje ka listuar disa emra tjerë për të cilët mobilizimi i LDK’së do të ishte më i fuqishëm.

“Unë nuk kam shprehur asnjë dyshim në drejtim të asnjë personaliteti të LDK’së. E vërteta është që i kam listuar disa emra, për të cilët kam menduar se ia vlejnë të merren në konsideratë edhe për faktin që kisha bindjen se mobilizimi i LDK’së rreth atyre personaliteteve do të jetë më i fuqishëm”, shtoi Quni.