Lekë Sahatçiu nga departamenti ligjor i Devolli Group, pjesë e së cilit është edhe qumështorja “Vita”, ka mohuar të gjitha gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të prezantuara gjatë ditës së sotme.

Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë.

Në përgjigjet për KOHËN, Sahatçiu ka thënë se nuk është e vërtetë që produktet e qumështores “Vita”, kanë përmbajtje të produkteve të padeklaruara pasi sipas tij ato do të tërhiqeshin nga vetë Inspektorati.

“Produktet tona, të markës “Vita” janë 100% qumësht i fermerëve tonë dhe për këtë garantojmë ligjërisht dhe moralisht. Për më tepër, çdo produkt që del nga fabrika jonë, përmbajtja e tyre është e deklaruar në formën e përcaktuar me ligjin e aplikueshëm të Republikës së Kosovës. Nëse do të ishte e kundërta, ato produkte do të tërhiqeshin nga tregu nga vetë inspektorati, ndërkaq deri më sot, nuk jane tërhequr të njëjtat, sepse janë në përputhje me ligjin”, thuhet në përgjigje.

Tutje Sahatçiu ka mohuar edhe deklarimet e minsitrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, për numrin e punëtorëve dhe sasinë e qumështit të pranuar të fermerëve.

“Janë të pavërteta dhe shpifëse. Nuk e kuptojmë tendencën e Ministrit Muja për të e sulmuar Fabrikën tonë. Ndër shpifjet e tjera, është edhe prezentimi i rremë i numrit të punëtorëve, duke përdorur të dhëna për një kompani tjetër (Devolli Group), ndërkaq emri i kompanisë tonë është Abrazen LLC. Gjithashtu, manipulimi dhe e pavërteta tjetër e Ministrit Muja është se kinse ne kemi pranuar qumësht nga fermerët për 3 vite në sasi prej 9,000,000. Ai raport nuk është për 3 vite, por vetëm për periudhën Janar – Prill 2026, e jo për 3 vite”, thuhet tutje në përgjigjet e pyetjeve që KOHA i ka drejtuar kësaj kompanie.