QUINT-i mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë mirëpritur vendimin e institucioneve të Kosovës që të shtyjnë për në prill zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës.

“Vendimi konstruktiv avancon përpjekjet për të ndihmuar në situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e ambasadave të QUINT-it.

Një polic u plagos të enjten nga një sulm me armë të gjata në Zveçan, në ditën kur u njoftua se Policia ka shtuar praninë në veri.

Pas ngritjes së tensioneve në veri, në prag të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të shtunën se zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Muajin e shkuar serbët vendosën t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës pasi Qeveria vendosi t’i ndëshkojë pronarët e veturave me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia. Në mesin e të dorëhequrve pati qindra policë.