Qorrolli: Vendimi i Themelores për rastin “Pronto”, legjitimon nepotizmin

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin 11 të akuzuar në aferën “Pronto”, lirohen nga akuza, për juristin Vigan Qorrolli, do të thotë legjitimim i nepotizmit.

“Gjykata Themelore e Prishtinës, do të vendoset në analet e jurisprudencës botërore, jo përmes zbatimit të këtij parimi universal të drejtësisë por, përmes legjitimimit të nepotizmit, kapjes së shtetit dhe vërtetimit me aktgjykim të një argumenti kolosal: në Kosovë qytetari i saj mund të hy në punë shteti vetëm me librezë partiake”, ka komentuar Qorrolli në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, në jurisprudencë ekziston parimi i famshëm i prezumimit të pafajësisë që daton prej shekullit të 6’të, e cili thotë veç tjerash që “dëshmia qëndron mbi atë që pohon, jo mbi atë që mohon”.

“Tek laikët njihet argumenti se askush nuk mund të njihet fajtor, derisa nuk provohet e kundërta”, ka shkruar Qorrolli.

Ndryshe, paraditen e së premtes Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarve A.G, A.P, I.G, B.B, N.K, Z.P, F.SH, S.G, I.N, XH.D, R.A, për shkak të veprës penale, se të pandehurit në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes nga neni 31 i KPRK-së, kishin kryer veprën penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentativë, nga neni 193 par.4 lidhur me par. l lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Por, që të gjithë këta janë liruar nga akuza për veprat penale për të cilat janë akuzuar nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, sepse nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.