QKUK tregon nëse janë mjaftueshëm të furnizuar me oksigjen për pacientët me koronavirus

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka bërë të ditur se furnizimi me oksigjen në klinikat e Qendrës Klinike Universitare, përfshirë edhe Objektin e Mjekësisë Sortive është nën monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e sektorit teknik dhe nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve.

Një reagim i tillë ka ardhur si pasojë e raportimeve në media lidhur me problemet që ka pasur për shkak të rënies së sasisë së furnizimit me oksigjen në Objektin e Mjekësisë Sportive.

SHSKUK njëherësh ka kërkuar nga mediat që të jenë të kujdesshme në raportimet e tyre në lidhje më këtë çështje dhe mos të krijohet panik në opinion.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës poashtu thekson se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për trajtim profesional të pacientëve me Covid-19 dhe furnizimi me oksigjen në klinika  është stabil.